Paralajmëron Aktakuzë për ‘Grupin e Drenicës’

Prokurori Salustro ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj për \"Grupin e Drenicës\". Ai, po ashtu, ka paralajmëruar ngritje të aktakuzës brenda pak ditësh. Avokati Tomë Gashi veprimet e Salostros i quan joligjore dhe fyese.

Lajme

20/10/2013 13:07

Prokurori i EULEX’it, Marizio Salustro, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj dhe ngritjen e Aktakuzës kundër ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Sylejman Selimit dhe gjashtë ish bashkëluftëtarëve të tij.

Kështu ka bërë të ditur për lajmi.net, avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi.

Ai i konsideron joligjore dhe fyese pretendimet e ngritura nga Prokurori Salustro, mbi bazën e të cilave ai po kërkon vazhdimin e paraburgimit dhe ngritjen e Aktakuzës.

“Përsëri Prokurori i EULEX’it, zoti Salustro, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj, deri më 23 dhjetor 2013, ndaj z. Sylejam Selimi, ish Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së dhe ndaj gjashtë ish bashkëluftëtarëve të tij”.

“Unë si avokat i z. Selimi, i konsideroj si joligjore dhe fyese pretendimet e Prokurorit se kinse z. Selimi dhe të tjerët, që luftuan për çlirimin e Kosovës, do të ikin nga Kosova për të mos u përballur me një gjykim të ardhshëm”.

“Prokurori pretendon se mund të ketë ndikim tek dëshmitarët në këtë çështje dhe në të njëjtën kohë Prokurori paralajmëron Aktakuzë për disa ditësh ndaj Grupi të Drenicës”.

“Nëse është kështu, atëherë si mund të ndikohet tek dëshmitarët të cilët paskan dhënë deklarata gjatë hetimeve. Ne si avokat do të paraqesim kundërshtimet tona  dhe mbetet që Gjykata të vendosë pastaj”.

“Duhet thënë se paraburgimi është duke u përdorur si dënim dhe jo si masë, pothuajse në të gjitha rastet e hapura kundër ish pjesëtarëve të UÇK’së”, ka thënë Avokati Tomë Gashi për lajmi.net.