Paralajmërohet rifillimi i dialogut Prishtinë-Beograd

Johanes Hahn, i nominuar për postin e komisarit për çështje të fqinjësisë dhe negociata të anëtarësimit , ka paralajmëruar thellimin e dialogut politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme

30/09/2014 20:51

Gjatë dëgjimit në Parlamentin Evropian, austriaku Hahn ka thënë se tek qeveria e Beogradit ka parë gatishmëri për vazhdim të dialogut dhe se kjo do duhej të ndodhë sapo të konsolidohen institucionet e Kosovës, raporton korrespodentja e RTK-së nga Brukseli.

Johanes Hahn ka kërkuar nga vendet e Ballkanit që të mos dekurajohen nga fakti se tanimë është thënë se në pesë vjetët e ardhshëm nuk do ketë anëtarësime të reja në bllokun 28 anëtarësh.

Sipas eurokomisarit të ardhshëm, i cili do të merret edhe me çështje që lidhen më zgjerim, mos anëtarësimi nuk do të thotë edhe ngecje e proceseve.

“Kryetari i ardhshëm i Komisionit, Jean Claude Juncker ka thënë se nuk do të ndodhë zgjerim i mëtejmë i BE-së në 5 vjetët e ardhshëm sepse duhet të fokusohemi në konsolidimin e brendshëm. Thënë të drejtën, asnjë nga vendet partnere nuk do të mund të jetë gati për tu anëtarësuar në BE në këto pese vjet. Kjo nuk do të thotë bllokadë në proces, por e kundërta. Detyra ime është tu ndihmoj partnerëve të bëhen gati për të përmbushur kriteret”, ka thënë Hahn.

Si prioritete në procesin e zgjerimit dhe në raportet me vendet e përfshira në këtë proces, Hahn i sheh tri çështje: sundimi i ligjit, ekonomia dhe funksionimi i duhur i demokracisë.

Këto tri prioritete, krahas kapaciteteve administrative, do të jenë vendimtare.

“Motoja ime do të jetë kualitetet para shpejtësisë”, ka deklaruar ai.

(RTKlive)