Paralajmërohet kallëzim penal për rritjen e pagave politike

Gjykata Kushtetuese e ka mbështetur vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur pagën vetes. Ky institucion po pretendon se nuk ka gjetur asnjë shkelje të vetme të dispozitave kushtetuese nga 30 deputetët e Kuvendit, që iu drejtuan Gjykatës duke vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e vendimit për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë politikë në Qeverinë e Kosovës.

Lajme

13/06/2018 10:02

Nga vendimi i nënshkruar do të përfitojnë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, që me rritje do të marrin pagë 3 mijë e 400 euro, nga 1 mijë e 653 sa llogaritej pa shtesa e mëditje.

Për këtë vendim deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes, e cila njëkohësisht e ka përcjellë në Kushtetuese kërkesën për rishqyrtim të rritjes së pagave të zyrtarëve qeveritarë, ka paralajmëruar edhe kallëzim penal për kryeministrin, ministrat që morën pjesë në vendim, si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që vendosën në favor të tij, shkruan Gazeta Zëri.

Haxhiu e ka konsideruar si abuzim të parasë publike faktin që Kushtetuesja i dha të drejtë kryeministrit për këtë çështje.