Paralajmërohen protesta dhe rezistencë karshi ngërçit politik

Duhet përkrahur blloku opozitar në mënyrë që të rrëzohet PDK-ja nga pushteti dhe të organizohen protesta e të krijohet rezistencë qytetare karshi politikanëve në mënyrë që të dilet nga situata e krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Lajme

05/11/2014 15:12

Kështu u tha në debatin e qujatuar “Përpjekja” të organizuar nga një pjesë e përfaqësuesve të shoqërisë civile në vend. 

Krenar Shala nga KIPRED tha se duke e pas parasysh që partia e deritanishme në pushtet e ka kap shtetin, sipas tij, qytetarët e Kosovës e kanë veç një zgjidhje, që të përkrahin bllokun që të rrëzojë PDK-në.

Duke folur për mundësinë e senzibilizimin e qytetarëve për të dal në protesta, Shala u shpreh skeptik, duke thënë se mospjesëmarrja e qytetarëve në këtë kauzë, do t’i leverdiste pushtetit. 

“Ajo zgjidhje është me e përkrah bllokun që e ka formuar opozitën edhe që ta rrëzojnë PDK-në, si hapi i parë drejt çlirimit. Unë mendoj që pa u çliruar shteti, nuk mund të ketë zgjidhje afatgjate të qëndrueshme për me fillu me i zgjidh problemet e qytetarëve. Sikur Shpendi, Rroni edhe Xeni të kishin mund t’i mbledhin 100 mijë veta, unë ju bëj përkrahje menjëherë, sa herë të doni, unë jam në shërbim të tuaj, hiq nuk flejë. Unë për veti nuk mundem me kontribu, t’i nxjerr 100 mijë qytetarë në rrugë e me 5 mijë qytetarë nuk bëhet kunjor, ajo veç çka mundet partisë në pushtet ti shërbejë për qëllime të veta, me e zgjatë këtë status-quo”, ka thënë ai.

Publicisti Halil Matoshi tha se ndaj kësaj situate në Kosovë duhet të krijohet rezistencë qytetare.

“Çka me ba, unë mendoj që me gjithë modestinë që e kanë thirr këtë tubim këta djem, unë mendoj që përfundimisht qytetaria e Kosovës duhet të kalojë në rezistencë, lëvizje e rezistencës ndaj një të keqe e cila praktikisht po e shkatërron edhe mendjen edhe trurin e këtij vendi”, ka deklaruar ai.

Njëri nga organizatorët e debatit, Shpend Kursani tha se kanë kaluar 5-6 muaj prej kur debati publik ka kaluar në 3 nivele, nivelin ndërkombëtar, partitë politike dhe qytetarët.

Sipas tij, energjia më e madhe politike dhe debati më i madh është parti politike-ndërkombëtar derisa partitë politike e lypin votën prej qytetarëve.

Organizatorët e debatit e quajtën vetën si grupi “Përpjekja” për të cilën thanë se nuk është emër i ndonjë organizate apo lëvizje edhe pse nuk është e pamundur të shndërrohet në diçka të tillë, por thanë se këtë emër po ia vënë për shkak të identifikimit të tyre duke u përpjekë të gjejnë një zgjidhje për vendin, raporton Kosovapress.