Paralajmërohen dënime të ashpra për shtetet që diskriminojnë sportistët e Kosovës

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Olimpike Verore (ASOIF) tani e tutje, mund të dënojnë vendet që diskriminojnë vendet tjera dhe sportistët me pjesëmarrjen e tyre. Sipas ueb-faqes “AroundTheRings.com”, KON dhe ASOIF kanë formuar një grup punues për të luftuar valën në rritje të nacionalizmit që prishin ngjarjet ndërkombëtare.

Sport

20/04/2018 23:42

Ndëshkimi për këto vende do të jetë për federatën përkatëse, nëse një vend që organizon ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, nuk lejon të gjithë sportistët e vendeve tjera të marrin pjesë.
Probleme të tilla kanë sportistët e Kosovës, të cilët shpesh herë nuk po lejohen të marrin pjesë në vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, siç ishte rasti me boksieren Donjeta Sadiku, e cila në mungesë të mosnjohjes së pasaportave të Kosovës nga India, mbeti jashtë Kampionatit Botëror.

Probleme të tilla sportistët kosovarë vazhdojnë të kenë edhe me shtete si Ukraina, e cila po ashtu nuk njeh pasaportat e vendit tonë.

Pas presioneve të shumta, të mërkurën, në Konventën e SportAccordit, u vendos që Ukraina të heq bojkotin e saj për të lejuar ekipin kombëtar të mundjes të marrë pjesë në Kampionatin Evropian që organizohet në Rusi.

Muajin e kaluar Republika Çeke, SHBA, Kanada dhe Ukraina, bënë të ditur se do ta bojkotojnë Kampionatin Botëror të Biatlonit, që mbahet këtë vit po ashtu në Rusi.

Presidenti I ASOIF, Francesco Ricci Biti, theksoi se ka ardhur koha të ndërmerren veprimet e duhura për të goditur “rritjen e përdorimit të politikës në sport”, duke përfshirë këtu edhe bojkotet.
“Katari nuk është në gjendje të shkojë në Dubai dhe Arabinë Saudite. Ukraina po përjashton atletët e Rusisë, Kosovës dhe kështu me radhë. Kjo po bëhet gjithnjë e më e madhe”, tha Ricci Bitti.
I pyetur se si KON dhe federatat mund ta zgjidhin këtë problem ai tha se nëse dënohen federatat, të tjerët do të frikësohen dhe nuk do të organizojnë gara pa i pranuar të gjithë.

Sipas Ricci Bittii, Federatat e Sporteve Verore Olimpike duhet të kenë më shumë fuqi për t’ua marrë organizimin e ngjarjeve të ndryshme, vendeve të cilat diskriminojnë vendet tjera ose sportistët. Mospjesëmarrja në gara shkaku i problemeve të tilla mund të shkaktojë edhe me humbjen e normave olimpike të sportistëve.

Në Konventën e SportAccordit, të mbajtur për disa ditë në Bangkok të Tajlandës, morën pjesë edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj.

Presidenti Hasani disa herë vitin e kaluar kishte shprehur shqetësimin e tillë për sportistët e Kosovës, gjatë takimeve që kishte me figura të larta të sportit botëror, përfshirë këtu presidentin e KON-it, Thomas Bach.