Paragjykohen produktet vendore

Prodhuesit kosovarë po hasin në vështirësi për plasimin e prodhimeve të tyre edhe brenda shtetit. Edhe pse disa prej këtyre produkteve thuhet se i plotësojnë standardet europiane të cilësisë, prapë ato s’arrijnë t’i bindin konsumatorët vendorë.

Lajme

10/11/2013 10:31

Produktet e prodhuara në Kosovë, përveç që e kanë të vështirë që të eksportohen jashtë vendit, ato paragjykohen edhe nga qytetarë tanë të cilët hedhin dyshime në cilësinë e tyre.

Në mesin e pordhimeve vendore ka edhe mallra të certifikuara sipas standardeve europiane.

Gjeneratat e vjetra besojnë se prodhimet vendore janë më cilësore, por brezat e rinj, po i paragjykojnë ato, duke pasur një dozë mosbesimi në cilësinë e tyre.

Profesori Shefqet Kadishani, 62-vjeçar, kur pyetet nga RFE për cilësinë e mallrave ushqimore, thotë se para luftës prodhimet vendore ishin të cilësisë së lartë, me shije e me kalori.

“Atëherë ushqimi ishte origjinal, vendorë, me kalori. Tash nuk ka shije asnjë produkt”.

“Në atë kohë nga largësia secili ka nuhatur erën e furrës së bukës, gjë që nuk ndodh tani”.

Por, Festina, studente në Departamentin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, preferon më tepër produktet e huaja.

“Lëngje dhe çokollata blej më tepër nga produktet e huaja. Ndoshta jam mësuar me atë shije, apo prodhuesit vendor nuk prodhojnë kësi lloji mallrash”.

“Thjesht, jemi mësuar me shijen. Në familje, babai zakonisht blen prodhime vendore, ndërkaq mami blen edhe vendore edhe të huaja”.

Valdet Gjinovci, Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë për RFE se prodhimet vendore i plotësojnë gati të gjitha kriteret e Bashkimit Europian sa i përket cilësisë së  tyre.

“Kushtet dhe kriteret, të cilat prodhuesit vendorë dhe mbi të gjitha përpunuesit e produkteve ushqimore, janë duke i përmirësuar dhe kanë arritur t’i përmirësojnë me standarde të larta dhe të përafërta me ato të vendeve të Bashkimit Europian”.

Në Kosovë, industria e prodhimit të qumështit konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e tregut kosovar. Në vitrinat e dyqaneve vërehet llojllojshmëri e këtyre prodhimeve, por jo shpesh zgjidhen nga konsumatori, pasi deri në 60 për qind të produkteve të qumështit importohen.

Hamide Latifi, udhëheqëse e Organizatës Joqeveritare “Gratë në Biznes”, thotë se ka një vetëdijesim të qytetarëve, por nevojitet kohë që të largohen paragjykimet e konsumatorëve për prodhimet vendore.

“Prapë se prapë ende ka nevojë për një ngritje më të madhe të vetëdijes të heqjes së paragjykimeve dhe frikës, për shkak se produktet vendore, të cilat prodhohen në Kosovë, janë larg më të shëndetshme dhe kualitative se sa ato që po importohen”.

“Po e marr shembull mishin e pulës, prodhimet e konservuara shtëpiake në Kosovë, krahas atyre industriale që vijnë nga importi”.