Paradoksi Serb

Analisti nga Beogradi Dusan Janjic thotë se është shumë vonë që të shtypet sërish materiali zgjedhor, siç po kërkon Lista Serbe. Ai pret që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje të jetë më e madhe në Veri sesa në Jug të Kosovës.

Lajme

30/10/2013 15:30

Analisti nga Beogradi Dusan Janjic ka thënë se tashmë është vonë që të diskutohet lidhur me logot e Republikës së Kosovës në materialin zgjedhor, siç ka kërkuar Lista Serbe.

Ai ka thënë se është e pamundur të aranzhohen takime me bashkësinë ndërkombëtare në këtë kohë kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet.

“Nganjëherë iniciativa të mira ndodhin në kohën e gabuar. Sot është e mërkurë, zgjedhjet janë të dielën. Listat e votuesve janë shtypur me një kontroll të ashpër. Nuk mundet që ato të shtypen në çdo kohë”, u ka thënë Janjic gazetarëve në Beograd.

Beogradi kërkon që në listat e votimeve të paraqitet neutraliteti ndaj statusit të Kosovës. Ata kanë kërkuar që në materialin zgjedhor  të jetë e vendosur vetëm logo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Janjic pret që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do të jetë rreth 20 për qind e totalit.

“Nuk do të befasohesha nëse pjesëmarrja e serbëve në Veri të jetë më e madhe në krahasim me pjesën tjetër të Kosovës. Gjithashtu mund të ndodhë edhe  ‘paradoksi serb’ që të dalin në përqindje më të madhe sesa shqiptarët”.

Ai tha se vizita e ZëvendësKryeministrit të Serbisë Aleksandar Vucic në Kosovë do të ndikojë në sensibilizim të serbëve që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e së dielës.

“Përveç  pjesëtarëve të mbrojtjes civile, ne Veri nuk do të shihni forca të KFOR’it dhe as të Policisë së Kosovës. Me këtë mendoj që bashkësia ndërkombëtare është duke u munduar që për siguri ta lë përgjegjës Beogradin”.

Sipas tij, në Serbi udhëheq një ndjenjë e jashtëzakonshme e lidhjes me Serbinë, e si rrjedhojë qytetarët janë në konfuzion se për kë do të votojnë.