Paraburgim për vjedhje në Bahrejn

Të dyshuarit për vjedhje të stolive të çmuara në Mbretërinë e Bahrejn’it, që kap vlerën prej 1.1 milionë eurove, sot i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Lajme

19/11/2013 16:27

Është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer vepër penale të vjedhjes së rëndë, lëndimit të rëndë trupor dhe krimit të organizuar, vepra këto të kryera në Mbretërinë e Bahrejnit, në shtator të këtij viti.

Me urdhrin e një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), personi i dyshuar është arrestuar gjatë ditës së shtunë, më 16 nëntor.

Në një njoftim të misionit të EULEX, thuhet se personit të dyshuar sot i është shqiptuar masa e paraburgimit nga një gjyqtar ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Personi i arrestuar dyshohet të jetë përfshirë në vjedhjen e stolive të çmuara (orë dore luksoze), në Mbretërinë e Bahrejnit, që kap vlerën e më shumë se 1.1 milionë eurove, thuhet në njoftimin e EULEX’it.