Paraburgim për Ismajl Kurteshin

Deputetit të Vetëvendosjes Ismajl Kurteshit i është caktuar paraburgimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lajme

14/12/2015 15:34

Lajmin për caktimin e paraburgimit ndaj Kurteshit e konfirmoi për KALLXO.com avokatja e tij Teuta Zhinipotoku.

Sipas Zhinipotokut, masa e paraburgimit për Kurteshin është e vlefshme deri më 30 dhjetor.

Ajo tha se do të ankohet ndaj kësaj mase të caktuar për të mbrojturin e tij.

Deputeti i Vetëvendosjes doli sot në seancë dëgjimore pasi u arrestua nga policia për shkelje të urdhrit të gjykatës.

Kurteshit masa e arrestit shtëpiak iu caktua më 2 dhjetor, për aktivizim të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të zhvilluar më 30 nëntor.

Pas aktivizimit të lotsjellësit, Kurteshi tha për media se “vetëm po i bënte një argat vendit”.

Ai shkeli masën e arrestit shtëpiak të shtunën, kur u paraqit me një fjalim në manifestimin e opozitës të mbajtur në Gjilan.