Paraburgim dy të dyshuarve për anëtarë të ‘Syrit të Popullit’

Ragip Sallovës e Sabit Berishës u është caktuar paraburgimi nën dyshimin se i takojnë “Syrit të Popullit”.

Lajme

26/05/2017 16:48

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit Ragip Sallovës e Sabit Berishës, dy të dyshuarve si anëtarë të organizatës  “Syri i Popullit”.

Kjo masë të dyshuarve u është caktuar nën pretendimin se janë anëtarë të organizatës “Syri i Popullit” nën dyshimin për veprën penale vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në shtëpinë e Ragip Sallovës më datën 3 janar 2017 është mbajtur një mbledhje ku është planifikuar dhe shpalosur programi i organizatës “Syri i Popullit” për organizim të sulmeve ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë aktualë dhe ndaj ish-udhëheqësve të mëhershëm shtetërorë.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë, i dyshuari në Facebook ka postuar fotografi me Murat Jasharin  dhe ka shumë publikime ku thërret të vritet tradhtia.

Sabit Berisha nga prokuroria dyshohet se para se të ndodhte plagosja e Azem Vllasit e ka shoqëruar të pandehurin Murat Jashari nga data e ardhjes në Kosovë më 6 mars 2017,  duke i kryer atij disa shërbime si dokumente për veteranë dhe shitjen e librit të Jasharit “Lufta e Pambaruar”.

Avokati i Sabit Berishës, Nikë Shala për KALLXO.com tha se i mbrojturi i tij mohon se është anëtar i “Syrit të Popullit”.

“Klienti im në mënyrë kategorike  e mohon faktin se është pjesëtar i organizatës ‘Syri i Popullit’, por nuk e mohon faktin se njihet me Murat Jasharin i cili është autor i librit ‘Lufta e Pambaruar’. Klienti im ka bërë vetëm shpërndarjen e librit e kjo nuk paraqet asgjë inkriminuese ngase ky libër nuk është i ndaluar për shitje”, tha Shala.

Ai masën e paraburgimit të caktuar ndaj Sabit Berishës e konsideroi të pabazuar.

“Si mbrojtës i te pandehurit Sabit Berisha konsideroj se aktvendimi mbi caktimin e masës se paraburgimit ne kohezgjatje prej 30 ditësh është i pabazuar ngase nuk janë përmbushur asnjë nga kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase”, tha Shala.

Shala më tej paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit me ankesë ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore.

“Kundër aktvendimit mbi caktimin e masës së paraburgimit brenda afatit ligjor do të ushtroj ankese në Gjykatën e Apelit”, tha Shala për KALLXO.com.

Sallova e Berisha ishin në mesin e katër personave që u arrestuan dje nga policia, ndërsa ndërlidhen me plagosjen e avokatit Azem Vllasi.