Paraburgim dhe arrest shtëpiak për “naftëtarët”

Në rastin e “naftëtarëve”, ku janë të akuzuar 22 persona, gjyqtari i Procedurës Paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me propozim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, morri vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve për 7 të pandehur.

Lajme

12/12/2014 08:17

Për 6 të tjerë u caktua masa e arrestit shtëpiak, kurse 4 të tjerë u liruan për t’u mbrojtur në liri.

Seanca është zhvilluar të enjten por që zgjati deri në orët e mëngjesit të së premtes, transmeton KosovaPress.

Masa e paraburgimit u është caktuar: B.Z, nga Komuna e Mitrovicës, A.Z, nga Komuna e Obiliqit, C.H, nga Komuna e Mitrovicës, A.M, nga Komuna e Mitrovicës, L.H, nga Komuna e Mitrovicës, A.I, nga Komuna e Mitrovicës, F.Q, nga Komuna e Pejës.

Masa e arrestit shtëpiak u është caktuar: I.Z, nga Komuna e Mitrovicës, G.Z, nga Komuna e Obiliqit, Xh.S, nga Komuna e Suharekës, Sh.J, nga Komuna e Deçanit, S.M, nga Komuna e Mamushës dhe S.H, nga Komuna e Vushtrrisë.

Për t’u mbrojtur në liri kanë mbetur, B.H, nga Komuna e Vushtrrisë, N.M nga komuna e Mamushës, D.L, nga Komuna e Deçanit dhe A.N, nga Komuna e Pejës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, thuhet se të pandehurit e lartcekur dyshohen të kenë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 2., të KPRK-së, lidhur me veprat penale: “Kontrabandim i mallrave nga neni 317, paragrafi. 2., lidhur me nenin 31 të KPRK-së, “tregtia e ndaluar” nga neni 305, paragrafi. 2., lidhur me nenin 32 të KPRK-së, “shmangia nga tarifat e detyrueshme doganore” nga neni 318 paragrafi., 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndryshe, prej 22 personave që Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit, 5 prej tyre gjenden në arrati ku për të njëjtit nuk është arritur të sigurohet prezenca e tyre në seancën dëgjimore.