Papërgjegjshmëria e gjykatës shtynë seancën për Goleshin

Seanca dëgjimore për rastin e minierës së Goleshit, e cila ishte paraparë që të zhvillohet sot në orën 10:00, në dhomën e posaçme në Gjykatën Supreme nuk ka nisur me kohë. Madje kjo seancë është shtyrë për datën 27 maj të këtij viti.

Lajme

19/05/2015 12:38

Krejt kjo pasi që një gjykatës nuk kishte ardhur në seancë, e madje palët nuk janë njoftuar as për këtë vonesë.

“Në orën 11:00 avokatët njoftohen se seanca dëgjimore është shtyrë me datën 27 të këtij muaji. Edhe pse për këtë shtyrje, vendimi ishte marrë me 12 maj, pala mbrojtëse nuk është njoftuar deri më sot”, tha për KosovaPress njëri nga personat që priste seancën.

Kjo shtyrje u kushtoi shumë edhe disa investitorëve nga Kroacia, të cilët janë edhe bashkëpronar të kësaj kompanie.

Ata kishin ardhë ekstra për këtë seancë, por papërgjegjshmëria e gjykatës bëri që t’i rikthej ata në Kosovë sërish në fund të këtij muaji.

Seanca ishte caktuar pas ankesës që kishte bërë pronari i Minierës së Goleshit, minierë kjo e cila ishte privatizuar nga Hysni Zogaj, në vitin 2007.

Zogaj kishte bërë ankesë ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila sipas tij AKP, ia ka tërheq aksionet e minierave para skadimit të afatit të kryerjes së obligimeve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Të kujtojmë se Zogaj, pronar i kompanisë “Iming”, kishte blerë nga ish – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit(AKM) minierat kosovare të magnezitit në Golesh dhe Strezovc për më shumë se 1.5 milionë euro, ku kishte premtuar edhe mbi 30 milionë euro investime dhe 600 të punësuar.

Por katër vjet më vonë Zogaj i rrezikoi me humbje këto miniera, për shkak të dështimit në realizimin e investimeve dhe punësimeve, ashtu siç kishte premtuar më herët.

Agjencia Kosovare e Privatizimit(AKP), e cila është pasardhëse e AKM-së, i kishte dhënë afat deri më 15 mars 2012 që t’i përmbush këto zotime, në të kundërtën do t’ia tërhiqte aksionet e minierave dhe të njëjtat do t’i ritenderonte.

Para një muaji menaxhmenti i Agjencionit Kosovarë të Privatizimit (AKP), hapi ankand publik për shitjen e Zhavorrit me Granulacion të 2 mijë tonëve, material ky i ndërmarrjes së re MM”Goleshi”.

Pronari i kontestuar nga AKP-ja i kësaj miniere, Hysni Zogaj , veprimin e menaxhmentit të AKP-së e quajti veprim të kundërligjshëm.

Zogaj pati thënë se vendimi i AKP-së për këtë shitje është bërë pa pasur një vendim të gjykatës, pasi rasti i minierës së “Goleshit” është në dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme. /KosovaPress/