Papa u kërkon falje viktimave të abuzimit seksual nga priftërinjtë
Papa Françesku ka kërkuar falje për komentet e bëra javën e kaluar në Kili, në mbrojtje të një peshkopi të akuzuar për mbulim të abuzimeve seksuale.
Bota
Ai ka thënë se fjalët e tij kanë lënduar shumë veta, por ka përsëritur se beson se peshkopi kilian, Juan Barros, është i pafajshëm.
Papa i ka bërë komentet për gazetarët në bordin e aeroplanit, derisa është kthyer në Romë.
Të enjten, ai ka thënë se viktimat që kanë akuzuar peshkopin Barros, kanë shpifur.
Papa është kritikuar hapur nga kardinali Sean O’Malley i Bostonit, i cili ka thënë se viktimat e abuzimeve seksuale nga priftërinjtë janë ndjerë të braktisura.
“U kërkoj falje atyre që i kam lënduar pa e kuptuar; është një plagë që e kam shkaktuar pa qëllim”, ka thënë Papa, raporton agjencia Reuters.
Peshkopi Barros nuk është akuzuar për abuzim, por për të qenët i pranishëm kur një prift tjetër, Fernando Karadima, ka ngacmuar djem të rinj./REL/