Papa në Mianmar nuk përmend masakrat ndaj myslimanëve të Arakanit

Kreu i Vatikanit, Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Mianmar është takuar me lideren e Mianmarit Aung San Suu Kyi, ku ai nuk ka përmendur mizoritë dhe masakrat me të cilat janë përballur muslimanët e Arakanit.

Bota

28/11/2017 16:34

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Mianmar, Papa Françesku në një fjalim pas takimit me Suu Kyi dhe zyrtarëve të tjerë të Mianmarit, nuk përmendi në mënyrë specifike situatën e muslimanëve të Arakanit.

“Populli i vendit vazhdon të vuajë për shkak të armiqësive dhe luftës së brendshme. Duhet të sigurohen të drejtat themelore për të gjithë ata që thonë se Mianmari është shtëpia e tyre”, tha Papa duke preferuar të përdorë shprehje të përgjithshme.

Duke mos cituar as fjalën “Rohingya”, emër me të cilin identifikohen muslimanët e Arakanit, Papa tha se “E ardhmja paqësore e Mianmarit varet nga respektimi i të drejtave të çdo grupi etnik, identiteti dhe çdo anëtari të shoqërisë”.

Ndërkohë që Suu Kyi ka shprehur falënderimet ndaj Papës për mbështejen e dhënë ndaj vendit të saj duke pretenduar se qeveria e saj synon mbrojtjen e të drejtave, shpërndarjen e tolerancës dhe sigurinë për të gjithë.

Ajo në lidhje me situatën në rajonin e Arakanit tha se “Kjo ka tërhequr në mënyrë të fortë vëmendjen e botës”. Suu Kyi pretendon se “në Arakan mes komuniteteve të ndryshme janë çështjet ekonomike, sociale dhe politike që dëmtojnë bashkëpunimin, harmoninë, mirëkuptimin dhe besimin”.

Papa para takimit me Suu Kyi në Mianmar ka zhvilluar takime me liderë muslimanë, budistë, hebre dhe të krishterë, trasnmeton Anadolu Agency.

Ndërkohë që zëdhënësi i Vatikanit Greg Burke më parë ka bërë të ditur se i kanë “marrë seriozisht” rekomandimet e bëra që Papa gjatë vizitës së tij në Mianmar të distancohej nga pëdorimi i fjalës “Rohingya”.

Ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut i bënë thirrje Papës që në mbështetje të muslimanëve të Arakanit të përdorte fjalën “Rohingya”.

Pas vizitës katër ditore në Mianmar pritet që Papa të kalojë në Bangladesh.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri më tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve.