Panucci komenton kalimin e Ronaldos te Juventus

Christian Panucci u përqendrua edhe te transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventus.

Sport

17/07/2018 12:58

Pas më tepër se një muaji, nga humbjet në miqësoret me Kosovën dhe Ukrainën, ku duket se ka marrë pushimet për të reflektuar rreth asaj që do të jetë Shqipëria e së ardhmes, Christian Panucci rishfaqet sërish.

Këtë herë trajneri ka folur për të kaluarën, duke thënë se “ka bërë gabimin më të madh në karrierë” në momentin kur vendosi të largohej nga Reali i Madridit për t’u kthyer në Serinë A te Interi.

Panucci u përqendrua edhe te transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi, ku shprehu besim se ylli portugez do të shkëlqejë edhe në Itali, sepse “ai e ka Championsin në gjak”.

Sipas drejtuesit të stolit kuqezi, blerja e 33-vjeçarit ishte një zgjedhje e zgjuar jo vetëm për kampionët e Italisë, por që do t’i shërbejë imazhit të Serisë A, pasi të tjerë kampionë do të ndikohen për të luajtur në elitën e futbollit italian.

Panucci e komentoi si “mëse normal” entuziazmin e tifozëve dhe mediave në momentin e prezantimit të Cristiano Ronaldos, sepse “më i miri në botë ka vajtur të luajë në Serinë A”, transmeton “SS”.

Sipas trajnerit, me largimin e trajnerit Zidan dhe të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, sezoni i ri mund të jetë mjaft i vështirë për Realin e Madridit, sepse klubi spanjoll nuk do ta ketë të lehtë ti zëvendësojë pasi fitoi Champions-in tre herë radhazi.