Panucci: Kjo nuk më ka pëlqyer nga ndeshja Maqedoni – Shqipëri

Christian Panucci nuk u nda plotësisht i kënaqur pas barazimit me Maqedoninë.

Sport

06/09/2017 10:30

Trajneri i Shqipërisë e ka cilësuar rezultat të drejtë barazimin ndaj Maqedonisë. Ai u shpreh për TVSH se ekipi kishte vuajtur meqë lojtarët nuk kishin qenë në maksimumin e tyre meqë nuk luajnë me skuadrat përkatëse.

“Edhe mund ta kishim humbur ndeshjen dhe të pësonim golin e dytë, ditëm të vuanim, luftuam si shqiptarë të vërtetë. Në fund doli një rezultat që e mendoj të drejtë.

Kemi vuajtur fizikisht se ishin 4-5 lojtarë që nuk ishin më në gjendje që të përballonin situatën. Mos harroni që kemi lojtarë që nuk luajnë me skuadrat e tyre.

Alioski? Është një lojtar i mirë por na rrezikuan vetëm më goditje standarde. Ndaj Spanjës dhe Italisë do të luajmë me dëshirë, në futboll do të mundohemi të ndryshojmë historinë.”

Ndërkohë për mikrofonin e “Supersport” italiani “qan” rastin e humbur nga Sadiku dhe shpjegon ndryshimet e bëra në formacion.

“Humbëm rastin për të shkuar 2-0 në kundërsulmin me Sadikun dhe më pas ata na barazuan me penallti. Në fund mund edhe ta kishim humbur ndeshjen.

Ndryshimi në formacion? Doja të luaja me një gjysmësulmues dhe preferova Hykën, por kemi mundësi edhe të luajmë 4-3-3, apo edhe me 4-3-1-2. Kemi variacione të tjera.

Në pjesën e parë nuk luajtëm një futboll të bukur, por agresivitet pati. Ne vuajtëm vetëm në 20 minutat e fundit dhe aty rrezikuam shumë. Në pjesën e parë nuk bindëm, por as nuk rrezikuam”, deklaroi Panuçi.