Pantina: Albin Kurti nuk i ka të gjitha informatat – letra e tij s’prodhoi zgjidhje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës përse nuk mori pjesë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Vetëvendosjes.

Lajme

18/12/2017 18:59

“Unë nuk kam qenë në Prishtinë dhe e kam pasur të pamundur të marrë pjesë”, ka pohuar ajo, duke shtuar se nuk ka qenë dakord as me mënyrën “se si u thirr dhe si u mbajt mbledhja”.

“Ne jemi dakorduar më parë që për këtë çështje të mos diskutojmë më para se të lirohet Albin Kurti, pasi ai është një nga njerëzit kyç dhe pa praninë e tij nuk do t’i kontribuonte zgjidhjes së situatës asnjë diskutim”.

Ajo ka komentuar edhe letrën e Albin Kurtit e shkruar nga burgu.

“Albini nuk i ka të gjitha informatat. Letra e tij nuk prodhoi ndonjë zgjidhje të problemit, ne kemi pasur diskutime të gjata me Albinin dhe ai gjithmonë ka thënë se ai parapëlqen që diskutimet të bëhen fytyrë me fytyrë”.

“Por, kishte njerëz që insistonin që kjo mbledhje të mbahej para lirimit të tij”.

Pantina ka folur edhe për atë se a ekzistojnë grupe brenda VV-së dhe cilit grup i takon ajo.

“Unë nuk besoj se në Vetëvendosje ka krahë. Ka njerëz që kanë shqetësimet e tyre në lidhje me atë si funksionin Vetëvendosje dhe insistojnë për një demokraci të hapur dhe një nga këtë njerëz jam edhe unë”.

“Dua që në VV të ketë demokraci të mirëfilltë, ku ideja e secilit vlerësohet dhe merren vendime të përbashkëta”.

“Ka edhe një grup tjetër që mendon se figura e Albinit e përfaqëson Vetëvendosjen dhe ne të tjerët vetëm duhet ta ndjekim prapa”.