Pantic po nxit tensione

Krstimir Pantic po bën deklarata nxitëse në Veri. Përfaqësues të Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut nga radhët e PDK’së thonë se deklaratat e Pantic’it kanë karakter nxitës dhe provokues ndaj institucioneve dhe banorëve jo serbë.

Lajme

06/12/2013 15:31

Deklaratat e Kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic se nuk do t’i jap llogari Prishtinës zyrtare, po krijojnë tensione politike në atë pjesë.

Anëtari i Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut, i cili është më i votuari në radhët Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi, ka reaguar të premten ndaj deklaratave të bëra ditë më parë nga Pantic.

Azemi ka thënë për Kosovapress se deklaratat e Pantic’it kanë karakter nxitës dhe provokues ndaj institucioneve dhe banorëve joserbë. Ai ka thënë se këto deklarata janë të papranueshme, duke marrë parasysh se PDK-ja është e përfaqësuar me 33 për qind të këshilltarëve në kuvend.

“I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar që sa më shpejt të reagojë, pasi këto deklarata në këto rrethana të reja mund të nxisin paqëndrueshmëri politike dhe mund të çojnë në tensionimin edhe të mëtejmë të raporteve etnike edhe ashtu të brishta”, ka thënë Azemi.

Ai tha se kryetari i sapo zgjedhur i Mitrovicës së Veriut, duhet ta kuptojë se ai është kryetar i një komune shumë të vogël nga territori i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, andaj “duhet ta respektojë përbërjen etnike e cila u ndryshua dhunshëm pas vitit 1999”.