Pantic kërcënon me bojkot

Krstimir Pantic kërcënon me mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale në rast se nuk largohen logot e Republikës së Kosovës nga materiali zgjedhor. Ai thotë se Prishtina me këto veprime po shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Lajme

27/10/2013 13:24

Kandidati për Kryetar të Komunës në Veri të Mitrovicës Krstimir Pantic, ka thënë se do t’uu kërkojë qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje përderisa materiali zgjedhor të mos jetë neutral.

Kandidati i Listës “Iniciativa Qytetare Srpska”, ka thënë se do t’iu bëjë thirrje të gjitha shteteve të cilat kanë përfaqësuesit e tyre në Kosovë, posaçërisht vendeve të Quint’it, që ta shtojnë ndikimin tek zyrtarët e Prishtinës, në mënyrë që materiali votues të jetë neutral ndaj statusit.

“Në rast se nuk sigurohet një material që është neutral ndaj statusit të Kosovës, atëherë serbët nuk do të dalin në zgjedhje”, ka thënë Pantic në një konferencë për media të mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ai ka shtuar se në takimet e Brukselit është dakorduar që materiali zgjedhor të jetë neutral, por sipas tij, një gjë e tillë nuk po ndodh në terren.

“Prishtina është duke insistuar që materiali zgjedhor të mos jetë neutral ndaj statusit duke dashur të jenë të vendosura stemat e Republikës së Kosovës”.

Ai para gazetarëve ka prezantuar një ekzemplar të një fletëvotimi me mbishkrimin “Republika e Kosovës-CIK”, dhe sipas tij me këtë Prishtina është duke i shkelur marrëveshjet e Brukselit.