Panamaja premton leje qëndrimi dhe leje pune për kosovarët (video)

Presidenti i Panamasë, Ricardo Martinelli tha se kosovarët do të udhëtojnë pa viza në shtetin e tij dhe premtoi se së shpejti do të mundësojë që shtetasit e Kosovës të kenë mundësi të pajisen me leje qëndrimi dhe pune në Panama. Ai gjithashtu tha se do të lobojë të shtetet tjera të Amerikës Latine për njohje të Kosovës.

Lajme

30/05/2014 16:35

Presidenti i Republikës së Panamasë, Ricardo Martinelli, gjatë vizitës në Prishtinë tha se do të angazhohet për bashkëpunim më të thellë në mes të dy vendeve.

Pas takimit me Presidenten, Atifete Jahjaga, Martinelli premtoi se shteti i tij do të angazhohet për shtimin e njohjeve të reja nga Amerika Latine.

Numri një i Panamasë, gjithashtu tha se kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Panama, ndërsa, sipas tij, ky shtet do të lehtësojë për shtetasit e Kosovës që të pajisen me leje qëndrimi dhe pune në këtë shtet.

“Ne kemi përfunduar një program ku qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për viza për të udhëtuar për në Panama. Ne do të mundësojmë që të njëjtit të kenë leje qëndrimi dhe pune”.

“Ne besojmë se shumë produkte tropikale do të mund që nga panamaja të eksportohen në Kosovë e më pas në tregun e Ballkanit”.

“Duke e ditur se realiteti në Kosovë është ndryshe në krahasim me përshtypjen që krijohet nga jashtë. Ne do të kemi mundësi që t’ia mundësojmë vizitën Presidentes së Kosovës në shtete të ndryshme të Amerikës Latine. Dhe ne besojmë që në një të ardhme të afërt, do të kemi mundësi që të kemi njohje të reja duke përdorur kanale diplomatike”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahajaga tha se në takimin me homologun e saj nga Panamaja, u diskutua për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve, dhe për mundësitë që ka ky shtet për të lobuar pro shtimit të njohjeve për Kosovën.

“Me Presidenti Martinelli patëm një bisedë jashtëzakonisht miqësore dhe të frytshme për të vazhduar bashkëpunimin tonë të mëtutjeshme të marrëdhënieve  në mes dy shteteve në fusha të ndryshme të cilat janë të interes të përbashkët të dyjave shteteve tona”.

“Biseduam për mundësin e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar duke theksuar nevojën e veçantë për krijimin e klimës për investime në Kosovë dhe për ndihmën e Panamasë, në procesin e njohjeve të mëtutjeshme të Kosovës nga vendet e tjera po veçanërisht të shteteve të Amerikës Qendrore dhe Jugore”.

“Republika e Kosovës është një shtet që po ndërton të ardhmen e saj mbi parim të një fqinjësie të mirë në rajonin e Ballkanit dhe është shndërruar në një vend që garanton sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm për rajon por, edhe më gjerë”.