Panairi “Diaspora – investimet dhe punësimi” ofron 1200 vende pune

Rreth 40 kompani, investitorë nga diaspora, kompani të Kosovës kanë prezantuar para qindra të rinjve katalogun me rreth 1200 vende të punës në panairin e punësimit, i cili u organizua në kuadër të konferencës “Diaspora – Investimet dhe punësimi”.

Lajme

31/05/2016 12:24

Të interesuarit e kualifikuar patën mundësinë që gjatë panairit t’i plotësojnë aplikacionet për punësim varësisht nga pozitat që ofrohen, ndërsa të tjerët po ashtu patën mundësi të aplikojnë për programin e punës praktike në institucionet e Kosovës, të cilin Ministria e Diasporës e ofron për të rinjtë e diasporës.

Ky panair u bashkorganizua nga Ministria e Diasporës, Oda Ekonomike –Gjermane, GIZ-i gjerman, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë,  Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, KIESA e partnerë të tjerë, ndërsa u vlerësua si më i madhi i këtij i lloji.

Në këtë panair po marrin pjesë kompani të ndryshme nga shtetet gjermanofolëse, kompani kosovaro-gjermane dhe kompani kosovare.

Qëllimi i tij është prezantimi i vendeve të punës, të profileve nga më të ndryshmet, që këto kompani po ofrojnë për të rinjtë e interesuar për punë.

Duke falënderuar organizatorët për organizimin e këtij panairi, ministri i Diasporës, Valon Murati tha se është kënaqësi të jesh në një takim të këtillë pune, i cili do të rezultojë me punësime të reja. Ai falënderoi sidomos shtetin gjerman, i cili përmes diasporës, vazhdon të jetë investitori më i madh në Kosovë, thuhet në komunikatën e ministrisë

“Ministri Murati, po ashtu, i ftoi të rinjtë që të bëhen e pjesë e programit të punës praktike në institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë”, thuhet në komunikatë.

Në hapje të panairit, me nga një fjalë u paraqitën edhe Hykmete Bajrami, ministre  e Tregtisë dhe e Industrisë, ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, dhe z. Banjamin Ëosten nga Programi për migrim dhe zhvillim.

Të gjithë folësit u shprehën se puna është sfidë e vendit dhe ata që hapin vende të reja të punës janë heronj.

Po ashtu, në panair, të rinjtë u inkurajuan që sa më shumë të shkollohen, në mënyrë që të profilizohen për pozitat që kompanitë kërkojnë.