Pamje nga vendi ku u vra 30 vjeçari në Podujevë

Një 30 vjeçar është qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur pas të shtënave me armë ndaj tyre në fshatin Surkish të Podujevës.

Lajme

16/11/2018 16:09

I ndjeri Arian Selmani ndodhej në veturë së bashku me nipin e tij 23 vjeçar, kur u qëllua për vdekje disa metra larg shtëpisë së tij.

Familjar të viktimës nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës së kallxo.com, por sipas tyre, i ndjeri nuk kishte probleme me askënd që të dyshojnë të ndokush.

Incidenti ka ndodhur në afërsi të hekurudhës në fshatin Surkish, jo më shumë se 200 metra larg shtëpisë së të ndjerit.

Në raportin e Policisë thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, dhe së viktimat janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S.) nuk ka mundur t’i përballojë plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00 ku edhe janë njoftuar nga QKUK- se viktima ka vdekur.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Rastin për kallxo.com e ka konfirmuar edhe Prokurori përgjegjës për komunikim me media, Ibrahim Berisha.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se është në kërkim të dy personave si të dyshuar për incidentin me armë zjarri mbrëmë, dhe sipas prokurorit kujdestar motivet e vrasjes nuk dihen ende.

“Kanë filluar hetimet, dy persona janë të dyshuar për vrasjen në Podujevë. Policia po punon në gjetjen e tyre”, tha Berisha.

YouTube player