Pali i Tretë

Pal Lekaj kërkon mandatin e tretë për ta udhëhequr Gjakovën. Ndonëse do ta ketë përballë një konkurrente të fuqishme, siç është Mimoza Kusari, është i bindur se do të fitojë qysh në raundin e parë. Nëse jo, llogarit në votat e PDK'së.

Lajme

20/09/2013 16:37

Katër vjet më parë, kur Mimoza Kusari-Lila shpalli kandidaturën për Kryetare të Gjakovës, stafi i Pal Lekajt thuhej se ishte përkujdesur ta “mirëpresë” kthimin e saj me një billboard në hyrje të qytetit.

“E kemi Kryetarin” shkruante në billboard, në të cilin ishte vendosur një fotografi gjigante e Kryetarit Pal Lekaj.

Një mesazh për Mimoza Kusari-Lilën që ta shijojë akomodimin disavjeçar në Prishtinë dhe të mos ia mësynte qytetit të “jareve”.

Katër vjet më vonë, Pal Lekaj i AAK’së e gjen përsëri kundërshtaren e njëjtë.

Të dytë janë katër vjet më shumë përvojë politikisht, secili në rrugën e vet. Lekaj në Gjakovë e Kusari-Lila në Prishtinë. I pari me politika lokale, ndërsa e dyta duke u marrë me çështje më të mëdha dhe me mundësi më të mira për t’i zënë kryetitujt e medieve.

Por, pavarësisht kësaj, Lekaj, i cili ka fituar në Gjakovë në zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2009, thotë se fitorja e tij në Gjakovë, për të tretën herë radhazi, është më se e sigurt.

“Secili ka synimet dhe vizionin e vet, por mendoj se në Gjakovë nuk do të ketë balotazh”, ka thënë ai për lajmi.net

“Duke u mbështetur në punën që është bërë për këto dy mandate, qytetarët do ta japin verdiktin e vet që në raundin e parë, që të vazhdojmë edhe për katër vjet drejtimin e Komunës së Gjakovës.”

Lekaj e pranon se gara do të jetë e fortë. Pak edhe për shkak se kundërshtarja e tij ka pasur mundësi më të mëdha promovimi duke qenë Zëvendëskryeministre e Kosovës, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë si dhe ZëvendësPresidente e AKR’së, parti në koalicionin qeveritar.

Por, ai thotë se është munduar ta bëjë punën e vet brenda territorit të Komunës së Gjakovës, duke mbajtur kontakte me qytetarët, të cilat, sipas tij, i kanë munguar pretendentes së AKR’së.

“Ajo ka qenë këtu në Gjakovë ndonjë ditë, apo ndonjë vikend. Por, me projekte kemi pasur zero mbështetje nga zonja Mimoza Kusari-Lila. Nuk e ka realizuar asnjë kërkesë për qytetarët e Komunës së Gjakovës”.

“Mund të them lirisht se aty ku kam qenë, dhe komunikimin që e kam pasur me grupe të caktuara qytetarësh, gjithçka po shkon në favor të rizgjedhjes sime”.

“Opozita as që po duket në teren diku. Ndoshta është në heshtje parazgjedhore, kurse ne po punojmë për çdo ditë në kryerje të obligimeve ndaj qytetarëve dhe çdo pasdite e shfrytëzoj kohën të komunikoj me grupe të ndryshme të qytetarëve”.

Kundërshtarja e Lekajt, në vitin 2010, ishte bërë temë qendrore në opinion me nismën për reciprocitet të mallrave ndaj Serbisë.

Të njëjtën gjë e bëri dhe dy javë më parë kur i bllokoi qasjen në Kosovë të mallrave nga Maqedonia në betejën tregtare e politike me këtë shtet.

Por, Lekaj nuk ka parë asnjë efekt pozitiv nga kjo aferë.

“Qytetarët e dinë se nuk ka pasur ndonjë anë pozitive dhe ka qenë tërësisht fushatë. Ata janë mësuar me vendimet e Mimozës, sepse ka marrë vendime edhe me Sharrcem-in. Qytetarët i kujtojnë parullat ‘Rruga e Kombit na bashkoi, Mimoza na ndau’. Ajo nuk ka bërë asgjë pozitive me të cilën do të duhej të krenohej Gjakova ose qytetarët e saj”.

Ndërsa tani kur nuk kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga mbyllja e kësaj afere, Lekaj mendon se kandidatura e saj për Kryetare të Gjakovës ka qenë e vetmja arsye prapa luftës tregtare me Maqedoninë.

“AKR është parti që do të shuhet dhe goditjen më meritore do ta ketë në Gjakovë”.

Në planin lokal, periudha prej vitit 2009 e deri më tani, ka shënuar edhe  përplasje në distancë ndërmjet Lekajt dhe Kusari-Lilës.

Një nga to është një projekt të cilin Ministrja tentonte ta shtynte të realizohej në Gjakovë e që ishte bllokuar nga Kryetari i Komunës.

Sot, vite më pas, Pal Lekaj nuk është pishman që e ka bërë këtë veprim.

“Të vetmin tension që e kemi pasur, ajo ka menduar se unë e kam penguar investimin nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Kjo nuk është e vërtetë. Ai donacion ka qenë nga Banka Botërore prej vitit 2005. Ka qenë fjala për një vlerë 150 mijë euro dhe unë kam pasur të drejtë që e kam ndaluar atë për shkak të lejes që nuk është marrë për ndërtim”.

Në zgjedhjet e kaluara Pal Lekaj kishte fituar zgjedhjet edhe falë një koalicioni të lidhur me dy partitë demokristiane, PSHDK dhe PDKI. Këtë vit, atyre u është shtuar edhe një aleat tjetër pasi që Ramush Haradinaj në qendër ka bërë koalicion parazgjedhor për të gjitha komunat me Lidhjen Demokratike të Dardanisë së Nexhat Dacit.

Por ku i dihet, mjekut Lekaj në balotazh mund t’i duhet edhe ndonjë “infuzion” tjetër.

Mediat kanë raportuar gjatë ditëve të fundit për marrëveshje ndërmjet Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit që PDK ta mbështesë Lekajn, në rast balotazhi. Por, PDK e ka përgënjeshtruar këtë lajm, të premten.

Megjithatë, Pal Lekaj nuk duket i shqetësuar nga ky qëndrim i PDK’së. Mendon se në rast të balotazhit, do t’i marrë votat e PDK’së.

“Po, në rast se ka balotazh, meqë po insistoni, atëherë normalisht që elektorati i PDK’së është i orientuar pro meje dhe pro Aleancës”, ka thënë Lekaj për lajmi.net