Palestina kërkon rezolutë të OKB-së për përfundimin e okupimit izraelit

Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas thotë se do të kërkojë një rezolutë ndërkombëtare, me të cilën do të përcaktohej afati për përfundimin e okupimit izraelit të territoreve palestineze, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Bota

23/09/2014 18:45

Nëse Kombet e Bashkuara e refuzojnë kërkesën e tij, atëherë Abas thotë se do të kërkojë anëtarësim në institucionet dhe agjencitë ndërkombëtare, transmeton REL.

Ndihmësit e tij kanë thënë se në këto institucione do të përfshihej edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Anëtarësimi eventual në këtë gjykatë potencialisht mund t’i hapë dyert për akuza për krime të luftës kundër Izraelit, për aksionet e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe për ndërtimin aktual të vendbanimeve hebraike në territoret e okupuara.

Fjalimi i Abasit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet më 26 të këtij muaji.