Pal Lekaj pendohet për gazin lotsjellës në Kuvend

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pranon se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup do t’i kushtojë buxhetit të shtetit disa miliona më tepër, mirëpo, nuk tregon sa mund të jetë kjo shifër. Në një intervistë dhënë për Gazetën Express, Lekaj flet gjithashtu edhe për vdekjet e disa personave gjatë punës në kompaninë 'Bechtel Enka', krijimin e kompanisë shtetërore ajrore, Gjykatën Speciale, gazin lotsjellës në Kuvend, vrasjen e Oliver Ivanoviq, e për fund komenton edhe vrapin e kryeministrit Ramush Haradinaj në shesh.

Lajme

19/01/2018 11:30

Në një intervistë dhënë për Gazetën Express, Lekaj flet gjithashtu edhe për vdekjet e disa personave gjatë punës në kompaninë ‘Bechtel Enka’, krijimin e kompanisë shtetërore ajrore, Gjykatën Speciale, gazin lotsjellës në Kuvend, vrasjen e Oliver Ivanoviq, e për fund komenton edhe vrapin e kryeministrit Ramush Haradinaj në shesh.

A është zgjidhur çështja e 63 milionë eurove që i ka kërkuar Bechtel Enka shtesë për autostradën? Pra, a do t’ia paguajë qeveria këtë shumë kompanisë, apo jo?

Lekaj: Sa i përket pretendimeve të B&E për 63 milionë, që janë për kohën e qeverisë së kaluar 2014 -2016 ne tani jemi në fazën e diskutimeve me operatorin ekonomik dhe kemi besimin që në mirëkuptim dhe në diskutime të sinqerta do të arrijmë që të kemi një tjetër shumë e cila do të bëjë qe të kursejmë buxhetin e shtetit.

Derisa flasim për “Bechtel Enka”, disa punëtorë të kësaj kompanie kanë humbur jetën në vendin e punës, a jeni në kontakt me kompaninë për të kuptuar fajtorin e vërtetë? A është dërguar ky rast në prokurori dhe a jeni në dijeni se deri ku kanë arritur hetimet?

Lekaj: Ne për secilin rast në afatin më të shpejtë të mundshëm jemi takuar me kompaninë por kemi qenë në kontakt edhe me familjet dhe kemi tentuar t’iu gjendemi afër. Sa i përket se kush është fajtori dhe kush i ka shkaktuar këto vdekje, atë mund ta thotë vetëm gjykata dhe organet tjera të drejtësisë e jo ne.

A është e gatshme Kosova që brenda vitit 2018-të të krijojë kompaninë shtetërore ajrore?

Lekaj: Po bëjmë matje tani për tani dhe po shohim shembujt e rajonit dhe të shteteve tjera. Në të tilla raste nuk na lejohet të ngutemi me vendime të shpejta pa e ditur rezultatin dhe atë rezultat do ta kuptojmë së shpejti.

Si e komentoni mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizim të Gjykatës Speciale?

Lekaj: E drejt legjitime e deputetëve si përfaqësues të popullit. Gjykata Speciale është e padrejtë dhe e një anshme kështu siç është sot, prandaj duhet të shikohen forma tjera të organizimit dhe funksionimit të saj.

A keni dëshmuar në gjykatë për gazin lotsjellës në Kuvend? A ka AAK ende qëndrimet e njëjta si në kohën kur ishte në opozitë?

Lekaj: Ajo kohë ka qenë shumë e rëndë për Kosovën dhe veprimet e deputetëve në atë kohë edhe pse të papranueshme, kanë qenë veprime politike e të domosdoshme. Prandaj ato raste do të duhej që të mos përsëriten sikurse as situatat që i kanë shty deputetët për të ndërmarrë ato veprime që i kanë ndërmarrë. Qëndrimet tona për sa i takon temave të demarkacionit dhe asociacionit janë qëndrime të njohura tashmë.

A mendoni se vrasja e Oliver Ivanoviq mund të shkaktojë tensione të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe si duhet institucionet e Kosovës që ta trajtojnë këtë rast?

Lekaj: Është një rast i cili duhet të zbardhet sa ma parë. Keq që ka ndodhë, kriminelët duhet të dalin para drejtësisë. Situata në vend sipas atyre që përfaqësojnë organet e rendit është e qetë dhe stabile. Por këto raste nuk është se e ndihmojnë stabilitetin në vend dhe prandaj duhet që sa ma parë të dihet kush dhe pse e ka kryer atë krim.

Për fund, a mësuat arsyen pse kryeministri vrapoi në shesh?

Lekaj: Kryeministri në çdo rast tregon se ka energji dhe dinamikë edhe përkundër agjendës se tij të ngjeshur me tema që kanë probleme të sirtarizuara që sa kohë dhe që nuk kanë marrë përgjigje deri më tani. Prandaj do të duhej ta merrni si normale edhe “vrapimin”  e kryeministrit. Kosova ka nevojë që kryeministri i saj me “vrap” e me dinamikë të madhe e të shpejt ti zgjidhë shumë çështje për dhe rreth Kosovës.