Pakistan: Nga sulmi vetëvrasës në një kishë janë vrarë 7 vetë

Zyrtarët pakistanezë thonë se së paku 7 vetë janë vrarë dhe afro 30 të tjerë janë plagosur, nga sulmi vetëvrasës në një kishë në qytetin Kueta, në jugperëndim të Pakistanit.

Bota

17/12/2017 10:48

Një zyrtar i lartë në provincën e Baloçistanit tha se sulmin e sotëm e kishin kryer dy militantë.

Ky zyrtar tha se së pari njëri prej militantëve e aktivizoi jelekun vetëvrasës në trupin e tij në hyrje të kishës, ku ishin afro 400 meshkuj, femra dhe fëmijë, të cilit kishin ardhur për të marrë pjesë në meshën e së dielës, para festës së Krishtlindjeve.

Sulmuesi tjetër nuk arriti ta aktivizojë eksplozivin pasi u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.

Asnjë grup nuk e ka marrë pëgjegjësinë e menjëhershme për këtë sulm.

Të plagosurit janë dërguar në spitalet kryesore të qytetit Kueta.

Të krishterët e përbëjnë 1.6% të popullatës prej 200 milionë banorëve të Pakistanit.