Paketa për drejtësi do të finalizohet në takimin e ardhshëm

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi trepalësh në Bruksel midis Kosovës, Serbisë dhe ndërmjetësimit të BE-së. Ky takim, ka përfunduar më herët për shkak të angazhimeve të Ashton, edhe pse kishte filluar më vonë se që është parashikuar.

Lajme

31/03/2014 14:34

E plotësuar, 20:31

Në takimin ndërmjet delegacioneve të nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është diskutuar ndër të tjera edhe për sistemin e drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne e vazhduam punën në çështjet e ndërlidhura me implementimin e Marrëveshjes së Prillit”, thuhet në deklaratën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, që e ka dërguar zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq.

Më tutje, në njoftim theksohet se “në këtë kontekst jam e kënaqur që të dy palët gati e kanë përfunduar diskutimin e tyre për drejtësi dhe duke pritur harmonizimet e domosdoshme paketa do të finalizohet në takimin e ardhshëm”.

Në kumtesë thuhet se të dy palët, poashtu, “diskutuan për hapat e ardhshëm në këtë dialog dhe u pajtuan të takohen përsëri”, raporton RTV21.

E plotësuar, 20:08

Pa marrëveshje për Gjyqësinë në Bruksel

Në përfundimin e raundit të 23-të ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ka pasur përparim, por ka munguar marrëveshja për Gjyqësinë. Ndërsa, zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vucic tha se në këto bisedime u arrit rezultati më i mirë i mundshëm.

Në një intervistë për një televizion serb, Vucic ka thënë se kryetari i Gjykatës do të jetë serb ndërsa raporti i gjykatësve do të jetë 60 me 40 në të mirë të serbëve, gjë që sipas tij, e ka kërkuar Beogradi.

Lideri i Partisë SNS tha po ashtu se rezultat i mirë është arritur edhe sa i përket prokurorëve, raporton KlanKosova.

____________________________________________

E plotësuar, 19:40

Përfundon takimi Ashton-Thaçi-Dacic në Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar takimi midis dy delegacioneve, atij të Kosovës me kryeministër Hashim Thaçin dhe atij të Serbisë me kryeministër Ivica Dacic dhe ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Takimi, edhe pse kishte filluar më vonë, është përmbyllur më herët se që është parashikuar, raporton KTV.

Para se të niste takimi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte thënë se është optimist se do të përfundojë marrëveshja, fjala është kryesisht për marrëveshjen për sistemin e drejtësisë, gjegjësisht Gjykatave të rajonit të Mitrovicës por edhe krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, thotë KTV.

Për më shumë rreth këtij takimi pritet që të deklarohen palët.

____________________________________________

(e plotësuar)

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, aktualisht është në takim më Përfaqësuesen e Lartë të Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Zëdhënsja e Ashton, Maja Kociajancic, ka bërë të ditur përmes një cicërime në rrjetin social tëitter, se takimi i parë në raundin e 23-të të dialogut në Bruksel, është duke u zhvilluar në mes të Thaçit dhe Ashton.

Takimi i radhës do të jetë në mes të Ashton dhe Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic dhe Zëvendëskryeministrit, Aleksandar Vucic.

Ndërsa më vonë pritet të zhvillohet edhe një takim trepalësh, Ashton, Thaçi, Dacic dhe Vucic.

____________________________________________

Kryeministri i Kosovës, Hashi Thaçi, ka deklaruar në Bruksel se në takimin e sotëm të dialogut, do të arrihet marrëveshja për gjyqësor.

“Sot jemi këtu që të finalizojmë marrëveshjen për gjyqësor e cila parimisht tashmë është arritur”, ka thënë Thaçi në një konferencë me gazetar të mbajtur para takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Ai gjithashtu, ka shtuar se Bashkësia e Komunave Serbe do të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.