Pakënaqësi në arsim, mund të ketë greva qysh në shtator

Viti i ri shkollor që nis në shtator, mund të fillojë menjëherë me probleme.

Lajme

14/08/2018 18:10

Krejt kjo për shkak të pakënaqësive të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) për mos votimin në lexim të dytë të projektligjit për punëtorët e arsimit shqip të viteve të 90-ta, shkruan lajmi.net.

E këto pakënaqësi mund të qojnë deri në grevë të punëtorëve të arsimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë sot për lajmi.net se sipas tij debate publik në Kuvendin e Kosovës ka filluar të stërzgjatet.

Sipas Jasharit, nëse një gjë e tillë vazhdon atëherë Këshilli Drejtues do të marrë veprime sindikale në përputhje me gjendjen.

“Ne kemi alarmuar me kohë sepse kemi vërjetur që pas leximit të parë, debati publik ka nisur të stërzgjatet për ligjin dhe të dalin çështje që në të vërtetë nuk janë reale. Disa kundërshtime që nuk janë të mira dhe nuk përkojnë me të vërtetën, dhe ne e kemi bërë të njohur me kohë të  që nëse në pakufi prolongohet dhe shtyhet kjo çështja e projektligjit për vitet e 90-ta, atëherë ne në shtator do të ulemi dhe Këshilli Drejtues do ta ketë pasqyrimin e situatës aktuale dhe do të marr vendim. Nuk është larg mendësh që nëse Komisioni Paralementar dhe Kuvendi heziton ta vë  në rend dite, atëherë ne do të jemi të shtrënguar që të veprojmë edhe me veprime sindikale”, ka thënë Jashari.

Megjithatë, Jashari shtoi se viti shkollor do të fillojë ashtu siç është planifikuar, ndërkaq që më pas do të shihet se si do të veprohet.

“Ajo cka mund ta them është se viti shkollor do të fillojë, ngase ne duhet ta shohim se si startojmë me vitin shkollor, cilat janë kushtet e kolegëve tanë, mos ka telashe me normat dhe po ashtu shkollat profesionale po kanë problem me nxënësit. Do të fillojmë punën, pastaj të shohim me dialog që t’i nxisim pozitivisht edhe komisionet parlamentare dhe kuvendin që ta vënë në rend dite projektligjin. Shpresojmë që deputetët për hir të respektit që kanë për mësimdhënësit e viteve të 90-ta ta votojnë këtë projektligj”, ka përfunduar Jashari.

Kujtojmë se SBASHK-u tash e një kohë të gjatë ka paralajmëruar se nëse projektligji në fjalë nuk miratohet në Kuvend, ata do të shkojnë në greva të përgjithshme. /Lajmi.net/