Pak të rinj të interesuar për Ditën e Rinisë

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, sot Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë organizuar një sërë aktivitetesh në Parkun e Gërmisë, për të shënuar këtë ditë.

Lajme

12/08/2015 15:14

Edhe pse ishte Dita Ndërkombëtare e Rinisë shumë pak të rinj merrnin pjesë në aktivitetet e shumta që kishte organizuar komuna e Prishtinës.

Këto aktivitete kanë filluar qysh në mëngjes, me nisjen e çiklistëve nga lagje të ndryshme të Prishtinës, për të shkuar pastaj në Parkun e Gërmisë. Aktivitet tjera të organizuara veçanërisht për këtë ditë kanë qenë edhe caktimi I grupeve të gjakut, aktivitete në pikado, shigjetari, shah, pikturë, vaterpolo etj.

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, me këtë rast tha se Drejtoria të cilën ajo drejton, ka organizuar aktivitete të shumta për të shënuar këtë ditë. Ajo po ashtu tha se po punojnë që të rinjve t’iu jepet sa më shumë hapësirë për aktivitetet e tyre.

“Sot ka aktivitete të ndryshme sportive, d.m.th. edukative, debate të ndryshme që do të mbahen. Përveç tjerash janë edhe disa mundësi që ju jepen të rinjve sa i përket shëndetit të tyre që është përcaktimi i grupeve të gjakut, matjes së sheqerit… Në këtë ditë kemi pasur bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, gjithashtu me organizatën PEN, që një pjesë e aktiviteteve të mbahen edhe në shesh”.

“Këtë vit e kemi funksionalizuar edhe Qendrën Rekreative dhe shtëpizat në këtë qendër ku do të ketë aktivitete gjatë gjithë vitit”, tha Bogujevci.

aktivitetet-ne-germi-fotot-xhemail-sllovinja-27

Kurse Rreze Kurti, aktiviste e cila po merret me matjen e tensionit, caktimin e grupit te gjakut dhe matjen e sheqerit, tha se ky aktivitet është shënuar falas për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

“Ne jemi organizatë joqeveritare dhe në bashkëpunim me komunën edhe me organizatën e rinisë së Prishtinës kemi organizuar këtë aktivitet shëndetësor falas, grupin e gjakut, sheqerin dhe matjen e tensionit. Tash është vetëm fillimi, kemi aktivitete deri në orën 15…marrim grupin e gjakut, sheqerin e masim dhe tensionin”, tha Kurti.

E, kryetari i klubit Atom, Berat Mavriqaj, u shpreh i pakënaqur me punën që po kryejnë institucionet e vendit në mbështetje të rinisë. Sipas tij, rinia ka nevojë për më shumë mbështetje dhe më shumë subvencione.

“Ne kemi nevojë për më shumë përkrahje dhe mbështetje jo vetëm një ditë, meqenëse ka të rinj shumë dhe kemi nevojë për investime…është një përkrahje shumë e vogël në krahasim me atë se sa duhet”, tha Mavriqaj.

aktivitetet-ne-germi-fotot-xhemail-sllovinja-30

Aktivitetet e ditës së sotme do të përmbyllen në orën 21, me një koncert në Gërmi.

Përfaqësuesit komunal, me këtë rast ftuan të rinjtë që të shkojnë të argëtohen në Parkun e Gërmisë për nder të ditës së tyre dhe të zbaviten me aktivitetet që ka organizuar komuna. (KosovaPress).