Pak serbë do të dalin në zgjedhje

Johanna Deimel thotë se serbët në Veri frikësohen të ndahen nga sistemi serb, prandaj nuk pret pjesëmarrje të lartë të tyre në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Lajme

26/10/2013 09:57

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Kosovës në pjesën veriore të vendit është vetëm një hap në shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Ekspertja gjermane për Ballkanin dhe Zëvendës Drejtuesja e Shoqatës së Europës Juglindore, Johanna Deimel thotë se do të ishte iluzion nëse dikush pret që këto struktura të shpërbëhen shpejt.

Sipas saj, shpejtësia e shpërbërjes së këtyre strukturave të mbështetura e financuara nga Beogradi zyrtar do të varet shumë nga pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve.

“Si edhe më parë shumica e serbëve të veriut janë për bojkotim të zgjedhjeve. Por le të analizojmë një skenar: Sikur kemi një pjesëmarrje zgjedhore 15-20%, e prej këtyre zgjedhjeve dalin forca politike që e shohin veten si legjitime, dhe që mund të integrohen në institucionet e Kosovës. Edhe sikur të ndodhë kështu, kjo nuk do të thotë se paralelisht me këtë nuk do të rezistojnë forcat e tjera politike që do të vazhdojnë bojkotin. Pra nuk do të kemi një shkrirje kaq të shpejtë të strukturave paralele”, thotë Johanna Deimel në një intervistë për Deutche Welle.

Sipas saj, serbët në veri janë të frikësuar kur bëhet fjalë për largimin e tyre nga sistemi serb dhe përfshirjen brenda institucioneve të Kosovës.

“Natyrisht nuk është e lehtë për serbët që duhet të përshtaten tashmë, kjo ishte pjesë e marrëveshjes së prillit, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit e të ndërmjetësuar nga BE”.

“Serbët kanë shumë frikë nga këto zgjedhje lokale. Serbët e veriut ndjehen të braktisur, apo kanë frikë se mund ta humbasin tërësisht mbështetjen e Beogradit. Dihet që ata duhet të integrohen në institucionet kosovare. Nga ana tjetër ende nuk mund të flasim për besim të serbëve tek pala kosovare”.

“Unë nuk pres një pjesëmarrje të lartë të serbëve të veriut në zgjedhjet e 3 nëntorit. Kjo do të jetë pika më e vështirë e këtyre zgjedhjeve”.

“Shumë gjëra lidhen me dëshirën e Prishtinës për të ofruar dorën, por për shkak se veriu gati u shkëput plotësisht nga Prishtina dhe u mbështet nga Beogradi në të njëjtën kohë, ky afrim u vështirësua edhe më shumë. Tani në moment megjithë disa probleme për udhëtimin e politikanëve serbë në Kosovë, duhet vlerësuar që Prishtina po përpiqet të reagojë shumë e moderuar dhe të mos lerë shtigje për shkallëzimin e situatës”, thotë Johana Deimel.

Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, Deimel thotë se kjo duhet të ndodhë sepse është një kusht brenda kontekstit të integrimit evropian dhe si i tillë, është i rëndësishëm për të dyja palët.

“Sigurisht kjo nuk bëhet pa lëshime që edhe dhembin. Por kjo nuk do të thotë njohje e Kosovës, dhe një gjë e tillë as nuk kërkohet”, thotë Johanna Deimel për Deutche Welle.