Pak para për rrugën nacionale Deçan-Plavë

Vetëm 300 mijë euro janë ndarë për këtë vit nga Qeveria e Kosovës për realizimin e rrugës nacionale Deçan-Plavë, e cila kap koston e miliona eurove.

Lajme

22/03/2017 14:37

Projektit që kishte nisur të ndërtohet tri vjet më parë ende nuk po i shihet fundi për shkak të ndarjes së mjeteve të pamjaftueshme buxhetore nga institucionet e vendit.

Për tri vjet, vetëm dy kilometra rrugë janë asfaltuar, ndërsa gjatësia e këtij segmenti është rreth 35 kilometra.

Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, thotë për KALLXO.com

As ketë vit nuk pritet të ketë ndonjë ecurit të madhe në punët e kësaj rruge me 300 mijë eurot e planifikuara.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha për KALLXO.com përmes telefonit së është i zhgënjyer me mjetet e ndara për ketë vit nga qeveria e Kosovës.

“Jam i zhgënjyer qysh këta (qeveria) e ka trajtuar në buxhetin e qeverisë së Kosovës për ketë vit. Po mos të ishte ai insistimi im personal dhe i disa deputetëve të kësaj pjese as që ishin marr me ketë temë”, tha Selmanaj.

Por ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, në një deklaratë për KALLXO.com i sugjeroi Selmanajt që të mos merret me “rrugët e ministrisë”

“Mos te merren komunat me rrugë të ministrisë por me të vetat”, u përgjigj shkurt Zharku.

Rasim Selmanaj, nga ana tjetër, thotë se është për keqardhje që vetëm 300 mijë euro janë ndarë për vitin 2017 për këtë rrugë.

“Vlera ende nuk dihet sepse nuk është i hartuar në tërësi krejt projekti, por vlera nuk është e madhe me mundësitë buxhetore që i ka Kosova. Po të jetë një qeveri e përgjegjshme kjo rrugë mund të kryhet për një vit, “ tha Selmanaj.

Opozita lokale në Deçan, Lëvizja Vetëvendosje, po e sheh të dështuar këtë projekt, bazuar në ecurinë e punëve të deritanishme.

“Në shtatorin e vitit 2014 kur filloi kjo rrugë, u premtuan investime milionëshe dhe me përfundim me afat rekord. Pamë pastaj që në vazhdimësi u ndanë buxhete qesharake”, tha Faton Selmanaj i Vetëvendosjes.

Edhe PDK në Deçan, thotë se nuk është e kënaqur me zhvillimet e këtij projekti.

“Shpresojmë që të paktën në vitet e ardhshme buxhetore të bëhet angazhim më i madh edhe i nivelit lokal por edhe atij qendror”, tha Musë Mushkolaj i PDK-së në Deçan.

KALLXO.com kishte raportuar në shtator të vitit 2014 për fillimin e punimeve në rrugën Deçan Plavë, ku atëherë thuhej se ky projekt pritet të kap koston e 50 milion eurove.

Në përurimin e rrugës kishte marr pjesë edhe ish Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetar i Deçanit Rasim Selmanaj dhe ai i komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq.

Gjatësia e rrugës nga Deçanit deri tek kufiri me Malin e Zi është rreth 25 kilometra, ndërsa deri në Plavë 35 kilometra.