Pak gjasa për anëtarësimin e Kosovës në Interpol e Europol (Video)

Edhe pse është përmendur anëtarësim i Kosovës në Interpol edhe Europol, një gjë e tillë nuk po ndodh ende. Njohës të sundimit të ligjit dhe sigurisë, çështjen e anëtarësimit të Kosovës në dy këto mekanizma e shohin si të “zbehtë”.

Lajme

29/05/2016 13:44

 

Megjithatë, synimet për t’u anëtarësuar në INTERPOL, përveç ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni , i ka paraqitur edhe kryeministri Isa Mustafa.

Ai përmendi dje në Kuvendin e Punës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe synimin dhe sfidat që po dalin në procesin e integrimit, duke përfshirë edhe anëtarësimin në INTERPOL.

“Kosova po ballafaqohet me kufizime të caktuara në proceset e integrimit që janë pasojë e mos njohjes të disa vendeve të Bashkimit Evropian, duhet të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin edhe më shumë përmes marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe trajtimit shumë të mirë që po ua bëjmë komuniteteve jo shumicë, të argumentojmë nevojën që të na njohin. ….Synimet tona janë që në këtë vit të bëhemi anëtare e INTERPOLIT, vitin e ardhshëm të anëtarësohemi në UNESCO”, tha ai.

Njohës të sundimit të ligjit dhe sigurisë thonë se duhet edhe shumë kohë që Kosova të jetë anëtare e Interpolit dhe Eurpolit.

Që Kosova të jetë anëtare e Interpolit dhe Eurpolit, duhet të ndërtoj lobim të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane, si dhe të arrijë një marrëveshje me UNIMK-un, që memorandumi mes Interpolit dhe UNMIK-ut, të dal si i pavlefshëm.

Njohës i sigurisë, Burim Ramadani, për KosovaPress, tha se të gjitha argumentet profesionale, juridike e politike janë të qëndrueshme që Kosova të anëtarësohet në Interpol.

“Kosova mund të anëtarësohet në Interpol, nëse të paktën mundet me i arrit dy elemente të rëndësishme. E para me ndërtu lobim jashtëzakonisht të fuqishëm dhe kryesisht nga partnerët kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe gjitha vendeve evropiane dhe së dyti nëse mundet me arrit me pas një lloj marrëveshje, ta quajmë xhentëlmene me UNMIK-un në Kosovë që memorandumi mes Interpolit dhe UNMIK-ut, të dal si i pavlefshëm ose të shpallët si i pavlefshëm. Sepse Interpoli ka marrëveshje me Kosovën por jo me shtetin e Kosovës por ka marrëveshje me UNMIK-un, dhe tash për tash funksionon përmes UNMIK-ut… Përndryshe qasja e Kosovës në Interpol është tepër e zbehtë, pothuajse e pamundshme nëse lobimi ndërkombëtar nuk është i fuqishëm dhe nëse ky memorandumi mes Interpolit dhe UNMIK-ut nuk bëhet i pavlefshëm”, tha Ramadani për KosovaPress.

Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë ka deklaruar për KosovaPress se kohët e fundit nuk ka pasur qasje pro-aktive, e cila do të kishte shtyrë përpara agjendën e Kosovës që të jetë anëtare e dy mekanizmave të sundimit të ligjit.

“Di që anëtarësimi në Interpol ka me qenë një sfidë e vërtetë për institucionet e Kosovës, duhet të ketë një lobim shumë më aktiv në këtë drejtim. Pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, shihet ende qartë se diplomacia kosovare nuk ka qenë e suksesshme në shtyrjen e kësaj agjende, duke marrë parasysh natyrën e Interpolit si institucion nuk besoj që do të jetë e lehtë që Kosova t’i siguroj votat që duhet. Duke pasur parasysh që kemi edhe Serbinë, e cila ka një diplomaci shumë të fortë edhe lobim shumë negativ kundrejt Kosovës, edhe që duhet me qenë një hap para në mënyrë që me siguru vota”, tregoi Emini.

Emini ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në Interpol është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, pasi siç thotë ajo, kjo shërben edhe për vendet tjera që janë anëtare të Inerpolit, për shkak të shkëmbimit të informacionit, luftimit të terrorizmit, krimit të organizuar.

Hulumtuesja Emini theksoi që duhet një qasje pro-aktive e Ministrisë Punëve të Jashtme, pasi që siç ka treguar ajo është vërejtur një mos koordinim brenda institucioneve të Kosovës, kur bëhet fjalë për këto organizata.

Sipas Eminit, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, duhet që të kenë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet vete.

“Duhet këta mekanizma, këto institucione në Kosovë që të koordinohen shumë mirë, të kenë një agjendë të përbashkët dhe të shtyjnë atë agjendë…Kjo është vërejt ngase MPB dhe Policia presin nga Ministria e Punëve të Jashtme, në anën tjetër është Ministria e Punëve të Jashtme që p ret inpute nga këto institucione dhe nuk ka koordinim të mjaftueshëm”, tha Emini.

Derisa Kosova komunikimin me Interpolin e ka përmes zyrës së UNMIK-ut, as me Eurpolin nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë, vetëm përmes zyrës së EULEX-it në Kosovë, e cila shërben si ndërmjetësues mes Kosovës dhe Eurpolit.

Emini tha se anëtarësimi i Kosovës në Europol është edhe më sfiduese, duke marrë parasysh që janë edhe pesë vende të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën.

“Prapë është e njëjta anëtarësimi në Europol është edhe më sfidues duke marrë parasysh që janë pesë vende në Bashkimin Evropian që nuk e njohin Kosovën dhe nuk besoj që në të ardhmen e afër do të arrijnë konsensus në këtë drejtim. Edhe këtu vlen e njëjta lobi duhet të jetë shumë aktiv dhe du het të shitur argumenti që Kosova ka shumë për të ofruar. Kosova vetëm nuk përfiton prej Europolit por ka edhe shumë për të ofruar duke marrë parasysh që kërcënimet e mëdha siç janë ISISI, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, që janë përtej kufijve nacional, Kosova ka për të ofruar shumë dhe besoj që gjitha shtetet anëtare do të përfitojnë”, tha ajo.

Edhe Ramadani është shprehur se anëtarësimi i Kosovës në Europol është një problem më i madh.

“Sa i përket Europolit, kjo në bindjen time, është një problem shumë më i madh, sepse kërkohet definitivisht pranimi nga secili shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe këtu sigurisht do të kërkohet shumë më shumë kohë se sa që mund të jetë për Interpolin”, theksoi Ramadani.

Ndërsa, se cilat janë gjasat e Kosovës për anëtarësimi në Interpol dhe Europol, dhe cilat janë lëvizjet e Kosovës për këtë, zyra për informim nga Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka kthyer përgjigjeje, në e-mail. Vetëm se përmes telefonit ata kanë thënë se rreth kësaj çështje nuk mund të përgjigjen, pasi që mund të pengohet procesi, duke mos sqaruar më tej. /kp

YouTube player