Pak beneficione për veteranët pjesëtarë dhe pjesëmarrës në luftë

U kujdesën të seleksionojnë veteranët e luftës në disa kategori, por ligji i cili i bën këto ndarje është i paqartë sa i përket mbrojtjes së kategorive të tjera, përveç asaj të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Lajme

16/03/2015 19:57

Por, në të vërtetë, ligji i ri u jep pak beneficione veteranëve pjesëtarë dhe atyre pjesëmarrës të luftës, raporton KTV.

Faik Fazliu, që udhëheq zyrën për veteranë në Qeverinë e Kosovës, thotë se të gjithë veteranët do ta kenë përkrahjen e qeverisë, por ligji saktëson kë më shumë e kë më pak.

Sipas ligjit për veteranët, të gjitha kategoritë do të kenë të drejtë në shërbimet shëndetësore falas brenda dhe jashtë vendit, e precizuar në nenin 23. Ndërsa në nenin 29, Qeveria zotohet se do të ofrojë përkujdesje për banim për veteranët e UÇK-së, të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike.

Por pjesëmarrësit në luftë nuk do ta gëzojnë më të drejtën e udhëtimit falas në transportin publik, e drejtë kjo e përshkruar në nenin 25 vetëm për veteranin luftëtar të UÇK-së.

Fëmijët e veteranit pjesëtar dhe atij pjesëmarrës nuk do të kenë përparësi pranimi në institucionet arsimore publike, që rregullohet me nenin 30 të këtij ligji, e as lirim nga pagesat administrative në shkollimin universitar publik.