Pajtohen për zgjedhjet në Veri

Takimi në Bruksel mes Kryeminstrave Thaçi e Dacic, i ndërmjetësuar nga Ashton, ka përfunduar me pajtimin që të përmbyllet suksesshëm procesi zgjedhor në Veri. Do të ketë rivotim në tri vendvotime në Veri. Po ashtu, është arritur një marrëveshje për doganat.

Lajme

06/11/2013 10:50

(E Plotësuar 16:20)

Hashim Thaçi e Ivica Dacic janë pajtuar për ndërmarrjen e hapave të përbashkët për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor në Veri të Kosovës.

Zyra e Baroneshës Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, përmes një deklarata ka njoftuar për përfundimin me sukses të këtij raundi bisedimesh.

“Pata një takim shumë të mirë me Kryeministrin serb Ivica Dacic dhe Kryeministrin kosovar Hashim Thaçi”.

“Jam e lumtur që të dy Kryeministrat u pajtuan sot për hapat e mëtutjeshëm në përmbylljen e suksesshme të procesit elektoral në Veri të Kosovës”.

“Autoritetet relvenate në Prishtinë do të vendosin për elementet specifike të këtij procesi”.

“Kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë të punojnë në implementimin e Marrëveshjes së Prillit dhe kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të bërë gjithçka që është e për implementimin e plotë të saj”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas përfundimit të takimit ka deklaruar se do të ketë përsëritje të votimeve në Veri të Kosovës, mirëpo kjo do të ndodhë vetëm në tri qendra të votimit, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic.

Po ashtu, Thaçi ka thënë se caktimi i datës për të ri-organizuar zgjedhjet në këto qendra të votimit do të bëhet nga KQZ.

Kryeministri Thaçi gjithashtu ka thënë se në këtë takim është arritur edhe një marrëveshje për doganat.

Takimi Thaci-Dacic u zhvillua tri ditë pas incidenteve që ndodhën në pjesën veriore, ku persona me maska ndërhynë me dhunë dhe shkatërruan materialin zgjedhor në tri vendvotime.

 

(E Plotësuar 14:30)

Pajtohen  për zgjedhjet në veri

Ka filluar takimi trepalësh Thaçi-Ashton-Dacic, në Bruksel.

Sipas B92, thuhet se bisedimeve i është bashkuar edhe Zv.Kryeministri serb, Aleksandar Vucic.

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kociancic, ka thënë se në takim do të diskutohet lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit si dhe parregullsitë, por temë bosht pritet të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit.

 

(E Plotësuar 12:35)

Zgjedhjet legjitimuan marrëveshjen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot në Bruksel se Kosova do ta menaxhojë me sukses situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 3 nëntorit në Mitrovicën e Veriut.

Incidentin në tri vendvotimet në këtë komunë, Thaçi e quajti “të izoluar”.

“Do ta menaxhojmë suksesshëm edhe incidentin e izoluar që ka ndodhur në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës”, ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel para takimit të tij me Përfaqësuesen eLartë të BE’së, Baroneshën Catherine Ashton.

Ai tha se procesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë e ka legjitimuar marrëveshjen e arritur me Serbinë më 19 prill të këtij viti.

Kryeministri Thaçi ka thënë se sot në Bruksel do të bisedohet edhe për zbatimin të marrëveshjeve të arritura, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe policisë, ku, siç tha ai, Serbia është vonuar.

 

Filluan takimet në Bruksel

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka nisur serinë e takimeve bilaterale me Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, të cilat do të pasohen, si zakonisht, me një takim trepalësh.

Zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë, Maja Kocijancic, ka konfirmuar nisjen e këtyre takimeve.

“Takimi bilateral i Ashtonit me Kryeministrin Dacic ka nisur. Pastaj, Ashton do ta takojë Kryeministrin Thaçi. Më vonë, do të mbahet takimi i përbashkët”, ka thënë zëdhënësja Kocijancic.

Ata pritet të bisedojnë edhe për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kryeministri serb Dacic ka thënë dje se në takimin e sotëm do të kërkojë që të anulohen votimet e së dielës në Veri dhe në të gjitha vendvotimet në pjesën tjetër të Kosovës ku serbët kanë qenë të frikësuar për të dalë në zgjedhje.