Pajtim për Policinë në Bruksel

Takimi trepalësh Ashton-Thaçi-Dacic në Bruksel ka përfunduar. Në një deklaratë pas takimit, Baronesha Ashton ka pohuar se janë zhvilluar diskutime konstruktive dhe përparim vendimtar për policinë dhe çështjet tjera.

Lajme

05/12/2013 16:30

Ka përfunduar takimi në Bruksel mes Kryeministrave Thaçi e Dacic, i ndërmjetësuar nga Baronesha Catherine Ashton.

Pas takimeve të ndara, së pari me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, më pas me atë të Serbisë, Ivica Dacic, Zyrtarja e larët e BE’së, Catherine Ashton, rreth orës 17 ka përmbyllur edhe takimin trepalësh, bëhet e ditur nga Brukseli.

Baronesha Ashton, nëpërmjet një komunikate për shtyp, është cituar të ketë thënë se në takimin e sotëm janë zhvilluar diskutime konstruktive dhe përparim vendimtar për policinë dhe çështjet tjera.

“Jemi pajtuar që t’i vazhdojmë diskutimet javën tjetër, më 13 dhjetor”, ka thënë Baronesha Ashton.

Ajo ka shtuar se mbi bazën e përparimit të arritur, do ta parashtrojë raportin e saj të ardhshëm para Këshillit Europian më 17 dhjetor.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në këtë takim janë përmbyllur të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e serbëve në strukturat e Policisë në veri.

Thaçi e ka vlerësuar takimin si “jashtëzakonisht të rëndësishëm”.

”Nuk ka më çështje të diskutueshme, apo të hapura. Të gjitha janë shumë të qarta, dhe që nga nesër do të mund të fillojë integrimi në polici i të gjithë njerëzve që dëshirojnë të integrohen”.

“Është bërë progres edhe në sistemin e drejtësisë, dhe besoj se brenda javës së ardhshme do të mbyllet dhe do të fillojë së funksionuari sistemi i drejtësisë edhe në pjesën veriore të Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

“Ndërsa paralelisht me këtë progres, me këtë integrim në sistemin e drejtësisë dhe policisë, duhet të shkojë edhe shpërbërja e Mbrojtjes Civile që ekziston në Veri.”

Thaçi ka konfirmuar se sot nuk është diskutuar çështja e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ndonëse sipas tij, gjithçka është e qartë dhe se ky Asociacion “do të formohet në bazë të legjislacionit të Kosovës dhe do të ketë një formë të organizatës joqeveritare”.

Sipas Kryeministrit serb Ivica Dacic, tema kryesore që është diskutuar gjatë raundit të sotëm ka qenë sundimi i ligjit, policia dhe hapat e mëtejmë në krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Pas përfundimit të takimit, Dacic ka thënë se është arritur një marrëveshje që Komandanti i Policisë në Veri të jetë serb dhe se hapi i radhës do të jetë pranimi i pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës.

ZëvendësMinistri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, po ashtu ka konfirmuar arritjen e pajtueshmërisë për integrimin e individëve të MUP’it serb në Policinë e Kosovës.

“Është arritur progres substancial. Është arritur marrëveshje për integrimin e Policisë. Gjithçka do të bëhet në pajtim me ligjet e Kosovës”, ka shkruar Zëvendës Ministri Selimi në Twitter.

“Më shumë progres pritet në implementimin e marrëveshjes në terren para raundit të ardhshëm të bisedimeve ndërmjet dy Kryeministrave”, ka shkruar Selimi.

Ende nuk ka marrëveshje për sundimin e ligjit dhe për funksionimin e Gjykatave në Veri të Mitrovicës.

Grupet punuese nga Prishtina dhe Beogradi, do të vazhdojnë punën për të afruar qëndrimet, ndërsa raundi i radhës është caktuar për 13 dhjetor

————————————–

 

(E Plotësuar, 15:45)

Ka filluar në Bruksel takimi trepalësh Thaçi-Ashton-Dacic.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian  e cila ndërmjetëson dialogun Prishtinë-Beograd, Catherine Ashton, ka zhvilluar më parë takime të ndara me kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Ashton së pari ka pritur kryeministri Thaçi, takim ky që kishte filluar në orën 12. Më pas, ka vazhduar me takimin me kryeministrin serb, Dacic.

Tema kryesore që do të trajtohet që këtij raundi, do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Brukseli. Gjithashtu do të diskutohet për përparim në sundimin e ligjit, policisë si dhe formimin në Bashkësinë e Komunave Serbe.

 

————————————–

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Serbia është duke u vonuar në zbatimin e marrëveshjes.

Thaçi i bëri këto komente pak çaste para takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europiane, Catherine Ashton, në Bruksel, ku sot filloi raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes  dy vendeve.

Kryeministri Thaçi tha në Bruksel se në këtë takim do të diskutohet për hapat e mëtejmë në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit.

“Kosova ka kaluar një test të rëndësishëm europian, duke organizuar zgjedhje korrekte, të lira dhe në përputhje me standardet më të larta. Në radhë janë bisedimet lidhur me hapat e mëtejmë për implementimin e marrëveshjes. Kemi pasur vonesa nga ana e Serbisë në zbatimin e disa pjesëve të kësaj marrëveshje, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe policisë”.

Lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, Thaçi tha se themelimi i tyre do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Shpresoj se së bashku do të punojmë në themelimin Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila do të jetë njësojë si Bashkësia e Komunave të Kosovës e cila tashmë ekziston. Ajo do të jetë një formë e pjesëmarrjes vullnetare, e cila do të marrë formatin e OJQ’ve”.

Pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Ashton do ta persë Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.

Më pas, Baronesha do të organizojë një takim trepalësh.

Tema kryesore e këtij raundi të bisedimeve do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit në fushat e sundimit të ligjit dhe policisë si dhe hapat e mëtejmë në krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.