Pajaziti thotë se “ka dalë i pastër” nga përgjimet, por ai ende është nën hetime

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti ka thënë se është i pastër nga përgjimet e publikuara në vitin 2016 nga Insajderi, edhe pse hetimet ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të PDK-së, përfshirë Adem Grabovcin, nuk janë mbyllur ende.

Lajme

06/03/2018 07:38

Në një intervistë për RTV 21, Pajaziti ka deklaruar se prej bisedës së tij me Adem Grabovcin – e cila dëshmon se ai flet me ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së për caktimin e disa njerëzve në bordin e ujësjellësit në Gjilan – nuk ka dalur asgjë e kundërligjshme.

“Nuk… më e rëndësishmja është që prej asaj bisede [me Adem Grabovcin, v.j] nuk ka dalë asgjë e kundërligjshme”, ka thënë Pajaziti.

Por, Pajaziti është njëri prej zyrtarëve të lartë të PDK-së të dyshuar për përfshirje në caktimin e njerëzve të afërm me subjektin e tij në borde të ndërmarrjeve publike e shtetërore të Kosovës.

Mbi këtë dyshim, Prokuroria Speciale kishte filluar hetimet kundër tij dhe gjashtë zyrtarëve tjerë të PDK-së për vepra penale të lidhura me aferën e përgjimeve “Dosja e Shefave” të publikuara nga Insajderi gjatë muajit gusht.

Insajderi kishte zbuluar se pos Zenun Pajazitit, Prokuroria po e heton edhe ish-ministrin e Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetarin e Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziun, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashin dhe ish-shefen e Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.