Paguajmë çmimin e injorancës

Eqrem Kryeziu thotë se s'mund t'ia urojë fitoren një njeriu që ndiqet penalisht - Ramadan Mujës. Mendon se Prizreni ka lëshuar shansin që ta luftojë degjenerimin që ka ndodhur e do të ndodhë. Citon Linkolnin dhe thotë se me votën e gabuar vritet ardhmëria.

Lajme

04/12/2013 19:00

Eqrem Kryeziu mendon se në Prizren është mobilizuar Qeveria e Kosovës dhe vetë Kryeministri Hashim Thaçi për ta mundur LDK’në në balotazh në këtë qytet.

Po ashtu, beson se edhe pakicat patën rol të madh në fitoren e Ramadan Mujës.

Eqrem Kryeziu nuk ia ka uruar fitoren rivalit të tij. Në një intervistë për lajmi.net, ai shpjegon arsyen.

“Këtu është mobilizuar Qeveria e Kosovës, edhe Kryeministri vetë, me krejt potencialin, jo vetëm me pushtet, por edhe me mjete të tjera të palejueshme, dhe ndodhi kjo që ndodhi. Pakicat, me forcën e votës, duke qenë se shqiptarët nuk dalin në votime, janë 20%. Dhe ky 20% hoqi dorë nga kandidatët e vet për Kryetarë në favor të koalicionit parazgjedhor me Kandidatin e PDK’së.”

“T’ia urosh fitoren një njeriu që akuzohet, ndiqet penalisht për shkelje të përgjegjësive pikërisht si Kryetar i Komunës, është shumë çështje delikate. Sipas opinionit tim, unë do të solidarizohesha në këtë rast me paudhësitë e tij. Madje, as si Kandidat i pandehur nuk do të duhej të konsiderohej i denjë për t’u përshëndetur.”

“E pra, PDK  ka fituar me një kandidat të tillë. Fare nuk e kam vështirë t’ia uroj partisë fitoren. Uroj të jetë krenare PDK për këtë gjë.”

Ramadan Muja pat thënë se Kryeziu s’e ka zakon urimin, sepse një gjë të tillë s’e kishte bërë as në fitoren e tij të mëparshme. Por, Kryeziu ka thënë se sikur dikush tjetër të fitonte në vend të tij, s’do të kishte problem.

“Do t’ia uroja secilit tjetër njeri, madje do të isha i kënaqur ta bëja atë, sepse do të duhej të jepnim shembuj të sjelljes së mirë për fëmijët dhe rininë. Por, kjo është e turpshme, një tallje e madhe me Kosovën. Për këtë arsye. Jo pse unë kam inat”

“Merreni me mend, shkon dhe hoxhës i kërcënohet për Bajram, i thotë pse e ke cituar ti në Ligjëratën e Bajramit versetin e Librit të Shenjtë ku flitet për ndryshime. Në vend se t’ia urojë Bajramin, ai i kërcënohet. Nuk është e vetmja. Në këtë kërcënim janë shtuar edhe zyrtarë të lartë të PDK’së nga qendra. Për konceptet e mia, ky është turp i paparë dhe i padëgjuar.”

“Ai nuk ka guxuar ta hapë gojën 4 vjet e shkuara asnjëherë në Asamblenë Komunale dhe këtë e quan burrëri, dhe s’ka guxuar asnjëherë të dalë në media gjatë fushatës dhe këtë e quan burrëri”.

“Tani, i ulur në fotelen e Kryetarit, frymëzohet burri i botës dhe na mban ligjërata për burrëri.”

Eqrem Kryeziu thotë se në rast se ai do të fitonte, ka pasur projekte të mira për ta frenuar degjenerimin që, siç shprehet ai, po ndodh dhe do të ndodhë.

Kështu si ndodhi tani, ai thotë se “po e paguajmë çmimin e injorancës”.

“Unë jam i zhgënjyer me atë që ka humbur Prizreni. Kemi qenë të përgatitur me projekte shumë të forta për ta frenuar këtë degjenerim që ka ndodhur dhe që do të ndodhë, për fat të keq, dhe me ecë përpara. Jam i dëshpëruar që Prizreni e lëshoi këtë shans.”

“E kam cituar disa herë Abraham Lincolnin: ‘Vota është më e rëndë se plumbi, se me plumb mund ta vrasësh vetëm një njeri, e me votën e gabuar e vret ardhmërinë e fëmijëve të tu’. Kam frikë se kështu ka ndodhur me Prizrenin”.