Paga minimale në Ballkan, 15 herë më ulët se në Luksemburg

Pagat minimale mujore në vendet e rajonit të Ballkanit janë ndër më të ulëtat në Evropë tregon hulumtimi i bërë nga Anadolu Agency (AA).

Bota

16/03/2015 20:27

Nga vendet e rajonit, pagën më të ulët minimale e marrin qytetarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndërsa qytetarët e Kroacisë kanë minimalen bindshëm më të lartë mujore. Minimalja më e lartë në BE është në Luksemburg, 1,923 euro, që është 15 herë më shumë se paga më e ulët minimale në Ballkan.

Sipas të dhënave të fundit, paga minimale në Kosovë shkon nga 130 deri 170 euro. Në Maqedoni paga minimale mujore është 131 euro, në Shqipëri 149, ndërkohë që në Serbi minimalja mujore është 174 euro. Nga vendet tjera të rajonit, paga minimale mujore në Malin e Zi është 193 euro, sa është edhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Eksperti në fushën e zhvillimit ekonomik Zllatko Hurtiq theksoi për AA se paga minimale në Bosnjë, si në shumicën e vendeve të rajonit, është ndër më të ulëtat në Evropë.

“Sa i përket pagës sonë minimale, ajo është në fundin evropian. Por nuk është më e ulëta në rajon, pasi jemi para Maqedonisë, Kosovës etj, ndërkohë që paga më të ulëta minimale se ne kanë edhe disa vende të BE-së, si Bullgaria”, tha Hurtiq.

Në anën tjetër, minimalen më të lartë në rajonin e Ballkanit e kanë qytetarët e Kroacisë, ku paga minimale është 396 euro.

Pagën më të ulët minimale në BE e marrin qytetarët e Bullgarisë (184 euro), Rumanisë (218 euro), Lituanisë (300 euro), Republikës Çeke (332 euro), Hungarisë (333 euro), Letonisë (360 euro), Sllovakisë (380 euro), Estonisë (390 euro), Kroacisë (396 euro) dhe të Polonisë – 410 euro.

Pasojnë Portugalia (589 euro), Greqia (684), Malta (720), Spanja (757) dhe Sllovenia (791 euro). Në shtatë vendet e BE-së paga minimale është mbi 1,000 euro: Britania e  Madhe (1,379 euro), Franca (1,458), Irlanda (1,462, Gjermania (1,473), Belgjika dhe Holanda (1,502) dhe Luksemburgu me pagën minimale prej 1,923 eurosh.

Për krahasim, paga minimale në SHBA është 1,035 euro. Në Turqi, paga minimale për gjashtë muajt e parë të këtij viti është 1,202 lira turke, përkatësisht 434 euro, ndërsa për pjesën tjetër të vitit 1,274 lira të ose 460euro.