Padi për syrin e humbur para 30 vjetëve

Adnan Dreni nga Peja, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deponuar të enjten në Prokurorinë Themelore të Pejës një padi kundër disa, siç i quan ai, ish-punëtorëve të shërbimit shtetëror të shtetit jugosllav. 

Lajme

05/09/2014 10:06

Padia ka të bëjë më arrestimet dhe maltretimet e Drenit në vitet 1984-85, kur ai ishte vetëm 16 vjeç, shkruan gazeta “Tribuna”.

“Kam ngritur padi kundër ish-inspektorëve të UDB-së në Pejë: Demë Muja, Jakup Llonqari, Mehmet Loci, Qazim Mazreku dhe ndaj disa inspektorëve dhe policëve tjerë, emrat e të cilëve tash nuk po më kujtohen. Ndaj tyre po ngriti padi sepse kur kam qenë në moshën 16 vjeç, ata më kanë arrestuar dhe më kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore”, tha Dreni për gazetën Tribuna.

Ai thotë se ata inspektorë të UDB-së, për të cilët nuk dihet se kah janë sot, së pari e kanë arrestuar më 3 gusht të vitit 1984 për shkak se atë vit ka shpërndarë gazetën “Zëri i Popullit” nëpër Pejë dhe për këtë vepër është mbajtur 15 ditë në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

Dy javë pasi e kanë liruar, ai thotë se e kanë arrestuar sërish dhe e kanë mbajtur në burg deri në fund të dhjetorit të vitit 1984.