Padi Bashës për ’21 janarin’, “dha urdhër të hidhen lëndë helmuese” (Video)

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri të ditur se kanë depozituar një padi ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha, ministër i Brendshëm në atë kohë.

Lajme

09/04/2015 21:31

Tahiri tha se Basha ka dhënë urdhra të paligjshëm, përfshi një urdhër për përdorim të lëndëve helmuese.

Ai ka bërë të ditur në seancën e sotme parlamentare se e ka paditur Lulzim Bashën në Prokurori për ngjarjet e 21 janarit 2011, që kulmoi me vrasjen e katër qytetarëve. Sipas tij, “për 21 janarin u gjet se ka urdhra jashtë ligjit dhe të falsifikuara”.

Ministri socialist bëri me dije se akuza për Bashën është ajo e shpërdorimit të detyrës.

Sipas tij, “Basha dha urdhër që të hidheshin lëndë kimike ndaj protestuesve”.

Tahiri tha se për 21 janarin janë gjetur fraza të korrigjuara dhe me mbishkrime në dokumente dhe urdhra.

“Dua të bëj me dije Kuvendin për një padi të depozituar sot nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e qytetarëve, ku pas një inspektimi në Gardën e Shqipërisë, mbi procedurat dhe dokumentacionin e mbajtur para, gjatë dhe pas protestës së 21 janarit 2011, dhe ku u administruan të gjithë dokumentacionet lidhur me veprimet që ka kryer Garda e Republikës, u gjet që ka falsifikim dhe urdhra të kundërligjshëm nga ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe nga punonjësit e Gardës, të cilët, shpresoj, do shkojnë të përgjigjen para drejtësisë së bashku me ish-ministrin e Brendshëm.

Nga këqyrja e librit të marrjes së shërbimit të datës 21 janar 2011, rezulton i pasqyruar me shënim nga operatori i shërbimit një urdhër i dhënë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ora 16:28 me përmbajtje, citoj: ‘Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demonstruesit në Piramidë’.

Kjo frazë është e korrigjuar, pra e falsifikuar. Para korrigjimit ka qenë: ‘Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë homogjene mbi demostruesit tek Piramida’. Gjithashtu në faqen e dytë të librit të shërbimit rezulton i pasqyruar shënimi i mëposhtëm: ‘Urdhërdhënësi, gjenerali, ( ai që pastaj doli me syrin e nxirë) Gjenerali, ora 14:54 urdhri: ‘Asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demostruesve’. Rezulton me sy të lirë, por që pritet të konfirmohet nga analizat dhe hetimet e prokurorisë, që edhe kjo frazë është e korrigjuar.

Para korrigjimit kjo frazë ka qenë, asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër’ dhe më pas i është shtuar, ‘kundër demostruesve pa zbatuar ligjin’. Te dy shënimet e cituara, të dokumentuara dhe të pasqyruara në librin e marrjes në dorëzim, duket me sy të lirë që ka ndërhyrje dhe korrigjime të dukshme në korrigjimet e fjalëve “pa zbatuar ligjin dhe kundër demostruesve”, në rastin e urdhrit të dhënë nga gjenerali dhe zëvendësimin e fjalës “homogjene” me fjalën “lakrimogjene” në urdhrin e dhënë nga ministri i Brendshëm.

Po kështu rezulton nga këqyrja se vetëm më datë 21 janar në këtë libër ka ndërhyrje dhe falsifikim të urdhërave të shënuar dhe në asnjë datë tjetër nuk ka korrigjim apo falsifikim të urdhërave.

Në këto kushte, Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka depozituar sot, kallëzimin penal për shtetasin Lulzim Basha, në atë kohë Ministër i Brendshëm me akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, për dhënien e një urdhëri haptazi të kundrëaligjshëm, pasi nuk është kërkund në kompetencën e ministrit drejtimi operacional, aq më tepër përdorimi i lëndëve kimike homogjene ndaj protestuesve dhe gjithashtu akuza ‘falsifikim i dokumentacionit’ për operatorin e Gardës me detyrë specialist i Qendrës së Drejtimit në Gardën e Republikës që ka rezultuar personi përgjegjës në pasqyrimin e komunikimve dhe urdhërave në radio dhe telefon në librin e marrjes në dorëzim të shërbimit”, deklaroi Ministri Tahiri

“Sot depozituam kallëzim penal ndaj Lulzim Bashes per urdhrin e paligjshëm qe ka dhënë ne 21 janar për ngritjen e helikopterit dhe hedhjen e lëndëve helmuese ndaj protestuesve.

Shpresoj Prokuroria të hetojë plotësisht këtë çështje, ashtu siç besoj se ky që trash zërin sot për ndarjen e politikës nga krimi, nuk do vijojë të mbetet shembulli i pandëshkueshmërisë duke iu shmangur drejtësisë me procedura e raporte mjekësore,” shkroi Tahiri më vonë në FB.

YouTube player