Pacollit i duket vetja si Trump-i

Ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit, po i duket vetja si presidenti i sapo zgjedhur amerikan, Donald Trump

Lajme

10/11/2016 14:13

Të dy vijnë nga bota e biznesit që kanë hyrë në politikë. Të dy janë zgjedhur president, por njërit nuk i ka ecur mirë. Behgjet Pacolli në Kosovë u zgjodh president i shtetit dhe ishte në pozitë vetëm një muaj. Ndërkaq, biznesmeni amerikan Donald Trump, u zgjodh president i Amerikës të martën duke fituar bindshëm në zgjedhje, shkruan lajmi.net

E me zgjedhjen e Trump-it në krye të SHBA-së, Pacolli si duket ka gjetur muzën e tij për rikthim në politikë pasi në zgjedhjet e fundit nuk mundi ta kaloj as pragun zgjedhor prej 5 për qind të votave.

Kreu i Aleancës Kosova e Re po thotë se Trump do të jetë një ndër presidentet më të mirë në historinë e SHBA-së, pasi vjen nga bota e biznesit me profil praktik që kërkon vetëm rezultate pozitive.

Ai deklaron se ka marrë shumë përgëzime nga kolegë botërorë për zgjedhjen e amerikanit.

Por ka edhe një konstatim për zgjedhjet presidenciale në Kosovë.

“A e dini pse nuk po lejohen zgjedhjet presidenciale në Kosovë? Sepse unë i fitoj zgjedhjet bindshëm”, deklaron Pacolli.

Ja çfarë shkruan ai:

Zgjedhja e Trumpit President i SHBA.

– Bota perëndimore sot e preferon profilin e biznesmenit për të udhëhequr shtetin

– Trump do të jetë njëri ndër presidentët më të mirë të historisë së SHBA-së sepse profili i politikanit biznesmen është profil praktik, që kërkon vetëm rezultate pozitive.

– Trump do të frenojë edhe rritjen e fuqisë dhe ndikimit politik të Rusisë.- Unë e njoh Donald Trump që nga viti 1997.

– Qasja e SHBA-së ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë me ardhjen e Trump në krye, përkundrazi Kosova vetëm do të ketë përfitime dhe mbështetje më të madhe.

– Kam marrë shumë përgëzime nga kolegët tanë nëpër botë për zgjedhjen e Trumpit.

– A e dini pse nuk po lejohen zgjedhjet presidenciale në Kosovë? Sepse unë i fitoj zgjedhjet bindshëm.

– Kosova ka nevojë për 2 gjëra:

PËR SHTET LIGJOR, ZHVILLIM EKONOMIK DHE PUNËSIM. UNË DO TË FOKUSOHEM NË NDËRTIMIN E SHTETIT LIGJOR. NJË SHTET I FORTË LIGJOR DO T’I FUSTE NË BURG ATA 20 NJERËZIT PËRGJEGJËS të shkatërrimit të ekonomisë dhe perspektivës së Kosovës.

– Zhvillimi ekonomik i vendit është pjesa ime që e njoh më së miri. Unë e kam planin konkret që sjell rritje ekonomike 10 përqind dhe hap 80 mijë vende pune çdo vit.