Pacolli zbulon arsyen pse duhet të qëndrojë taksa 100% ndaj Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka theksuar se vendimi për rritje të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës duhet të qëndrojë në zbatim.

Lajme

06/12/2018 10:50

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se “personalisht nuk shoh shanse për zgjidhje politike” të çështjes së Kosovës dhe beson se “zgjidhja ekonomike do të ishte një aspekt i pranuar nga të dyja palët”.

“Çfarë do të ishte kjo? Unë e them nga viti 2007, veriu i Kosovës duhet të jetë mundësi e madhe e prodhimit ku një pjesë e territorit do t’i takonte Serbisë, e një pjesë Kosovës, e me atë zonë të udhëheq dikush i treti. Aty e shoh zgjidhjen. Por, ndoshta është ende shumë herët për një ide si kjo”, deklaroi Pacolli gjatë një interviste për “DW”, transmeton lajmi.net.

Pacolli beson se Prishtina nuk duhet ta hërheq vendimin për taksë prej 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkundër thirrjeve nga SHBA, Gjermania dhe shtete të tjera perëndimore.

“Duhet ta dëshmojmë se Kosova ka krenarinë e saj. Jemi shtet që dhjetë vite. Nuk mund të lejojmë që dikush të shkel mbi atë që kemi arritur deri më tani”, u shpreh ai.

Pacolli akuzoi Evropën se “Nuk sillet korrekt” me Kosovën, duke komentuar vizitën e komisonerit evropian, Johannes Hahn në Prishtinë. /Lajmi.net/