Pacolli: VV planifikonte të merrte vendime varësisht nga rrjedha e seancës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kishte planifikuar sot që të merrte vendime varësisht rrjedhës së seancës për demarkacionin.

Lajme

22/02/2018 19:00

“Planifikimi ishte të shohim se si po shkon seanca mirëpo nuk pati nevojë që të vendosim sot për shkak se siç u pa nuk i kishin numrat”, tha Pacolli në Info Magazinë të Klan Kosovës.

“Planifikonim që të marrnim vendime në bazë të asaj se si do të shkonte seanca”.

Ajo tha se edhe grupi tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje e ka konfirmuar se është kundër kësaj marrëveshje, dhe se janë të gatshëm që ta kundërshtojnë për aq sa munden.

Ndërkaq, për pakot e peticionit të nënshkruar kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit me të cilat deputetët e Vetëvendosjes janë paraqitur sot në Kuvend, ajo tha se ishte aksion simbolik për t’i treguar Haradinajt se një kohë kishin mbledhur bashkë peticione kundër kësaj marrëveshjeje.

“Ai ishte peticioni që t’i tregojmë kryeministrit se një kohë së bashku kemi mbledhur peticionet kundër kësaj marrëveshjeje të dëmshme, dhe vazhdon të jetë marrëveshja e njejt të cilën kreyministri do ta kalojë”.

“Dëshironim t’ia përkujtonim se janë mijëra nënshkrime të qytetarëve që janë kundër kësaj marrëveshjeje”.

“Ishte aksion simbolik t’ia përkujtojmë kryeministrit se po vepron jo në përputhje me interesat e qytetarëve”.

Pacolli insistoi se nuk ka asgjë të re për çështjen e demarkacionit dhe se është e njëjta por që është nënshkruar dy herë.

“Nuk ka asgjë të re, është marrëveshja e njëjtë veçse është nënshkruar dy herë”.

“Nuk mund t’i besojmë as kryeministrit të Malit të zi, as shtetit të Malit të Zi, për shkak se ata e kanë ratifikuar marrëveshjen të cilën Thaçi e ka nënshkruar më herët”.