Pacolli: VV-ja po i përqafon qëndrimet e mia

Kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se është ai që nga viti 2006 insiston që Kosova A nuk duhet të anulohet nga harta ekzistuese e gjeneratorëve të energjisë si objekt.

Lajme

06/02/2016 12:02

Pacolli ka thënë se me një intervenim shumë të vogël e gjithë infrastruktura është e përdorshme dhe se mund të instalohej teknologjia e re, saktësisht gjeneratorët e rinj sipas standardeve të kërkuara mjedisore.

Pacolli ka thënë se kohën e fundit e ka dëgjuar edhe Vetëvendosjen teksa ka folur për këtë ide dhe se ka thënë që i vjen mire që ata e kanë përqafuar këtë qëndrim të tij.

Ky është postimi i plotë i Pacollit në rrjetin social Facebook:

“Qeveri, trajtojeni alternativën e rimëkëmbjes së gjeneratorëve të Kosova A!

Që nga vitit 2006 unë insistoj që Kosova A nuk mund të anulohet nga harta ekzistuese e gjeneratorëve të energjisë si objekt. Sipas kalkulimeve të njohura, pjesa ndërtimore dhe e infrastrukturës përbën 35 deri 40% të kostos së një termocentrali të ndërtuar nga fillimi. E gjitha infrastruktura dhe fondamentet e gjeneratorëve të A (A1 deri A5), me një intervenim shumë të vogël janë të përdorshme dhe shërbejnë si bazë mbi të cilat do të instalohej teknologjia e re, gjegjësisht gjeneratorët e rinj, konform standardeve të kërkuara mjedisore.

Po e shoh me vlerësim se Vetëvendosja në dy ose tre raste, edhe këto ditët e fundit, po flet në këtë linjë dhe unë i them se përqafimi i qëndrimit tim është i drejtë.

Sipas vizionit tim, ne do të ndërtonim mbi këto fondamente katër agregatë për një total prej 680MGV për një kosto tërësore prej 850 milionë euro. Agregati i pestë ose Kosova A1 do të përdorej si gjenerues i rrymës elektrike për përdorime riprodhuese të katër agregatëve të tjerë dhe si gjenerues bukur i madh i ngrohjes për qytetin.

Kostoja tërësore që do të kursehej (mbi 600 milionë euro )do të ishte argumenti i arsyeshëm që qeveria menjëherë të ndërronte programin e vet operues në këtë drejtim. Kjo është dhe një arsye të mos të pritet kot për një investim fantazëm prej mbi 1 miliardë e gjysmë euro në Kosovë”, ka shkruar Pacolli.