Pacolli: Serbia duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas sulmit të dy shqiptarëve në Novi Sad të Serbisë.

Lajme

08/10/2018 23:50

Pacolli duke dënuar këtë akt dhune ka kërkuar që autorët të dënohen ashpër dhe të sillen para drejtësisë.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, kreu i diplomacisë kosovare, ka thënë se, ministria që ai drejton por edhe përmes zyrës ndërlidhëse në Beograd janë duke i ofruar ndihmë dy shqiptarëve të sulmuar, shkruan lajmi.net

Ai përmes këtij postimi, ka kërkuar nga shteti i Serbisë që të heq dorë nga gjuha e urrejtjes, gjuhë e cila sipas Pacollit, po ushqen dhunë. /Lajmi.net/

Reagimi i plotë i Pacollit:

Me shqetësim të thellë mora lajmin për sulmin ndaj dy të rinjëve shqiptarë në Novi Sad ku njëri nga të sulmuarit i cili është Çlirim Kamber Maloku (1999), bashkë me shokun e tij po ashtu 19 vjeçar, është rrahur brutalisht dhe ndodhet në njërin nga spitalet e Novi Sadit dhe po lufton me jetën.

Ne si ministri jemi duke bërë përpjekje qoftë direkt, përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, qoftë edhe përmes kanaleve ndërkombëtare, të ndihmojmë në ofrimin e ndihmës për viktimat e këtij rasti, si dhe të ndërhyjmë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.

Serbia duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunë. Ne e dënojmë ashpër këtë aktë dhune dhe kërkojmë që autorët të sillen para drejtësisë. Urojmë shërim sa më të shpejt!