Pacolli s’di ku shkon paga dhe mëditjet e tij

(E plotësuar) Behgjet Pacolli thotë se nuk e merr as pagën e as mëditjet nga Qeveria e Kosovës. Edhe pse këtë pagë dëshironte që nga fillimi i tij në Qeveri t’ia jepte familjeve të varfra, kjo nuk ndodh, pranoi ai. Por, ku shkojnë këto para, s’e di as ai.

Lajme

10/04/2014 19:54

Kryetari i AKR-së në vazhdim të intervistës së tij dhënë në Rubikon, ka kujtuar fillimin e futjes së tij në Qeverinë e Kosovës, kur ka pasur dëshirë që rroga e tij t’i jepej familjeve të varfra.

Por, edhe pse kjo nuk ndodh, Pacolli thotë se ai nuk e merr pagën. Ç’është më e rëndësishmja, Pacolli nuk e di as ku shkojnë paratë e tij, as paga e as mëditjet.

“Rroga ime sot nuk merret. Ka qenë një kërkesë imja që ato para t’iu shkojnë të varfërve. E kam kërkuar këtë, por më është thënë nga departamenti i financave që nuk bën. Ai departament, ai drejtor i thërret mediat dhe thotë që Behgjet Pacolli do t’i marrë paratë”.

“Nuk më intereson ku shkojnë ato para. Unë ju garantoj se që prej se jam në Qeveri, nuk e kam marrë asnjë pagë dhe asnjë mëditje”.

“Janë para publike, prej Hasan Pretenit e më tutje le të merren me këtë. Nuk më intereson fare asnjë cent i parasë publike. Asnjë cent i buxhetit të Kosovës nuk i shkon Behgjet Pacollit”.

Por, a përfiton Pacolli nga politika ndonjë gjë?

“Nëse kam qenë pjesë e ndonjë darke, ajo ka qenë e paguar, por unë nuk kam përfituar ndryshe as nga paga, as nga mëditja as nga asgjë. Kjo tregon që politika nuk është për mua ajo që sjell përfitime”.

 

Behgjet Pacolli garon për kryeministër nga AKR

“Natyrisht, kjo është menduar edhe më herët”, ishte aprovimi i Behgjet Pacollit në emisionin Rubikon të KTV-së, kur u pyet se a do të kandidojë për pozitën e kryeministrit për zgjedhjet nacionale.

Por, edhe pse kështu, ai ka konsideruar se do të ishte çmenduri po të shkohej në zgjedhje nacionale pa reformë zgjedhore, meqë, siç thotë ai, qytetarët e dinë tanimë që është duke u punuar për reformë zgjedhore dhe arsye tjera.

“Askujt nuk i intereson reforma zgjedhore. Atyre u interesojnë votat”.

“Unë e quaj një gjë të çmendur të shkohet tani në zgjedhje, në këtë moment, të papërgatitur. Ne kemi kërkuar një ligj të dinjitetshëm zgjedhor e sidomos me postin e Presidentit të mos bëhet lojë. Është lojë me qytetarin sot të dilet me një ligj të vjetër zgjedhor”.

Por, Pacolli ka mohuar që do të bëjë koalicion parazgjedhor.

“Nuk do të bëjmë koalicione parazgjedhore, sepse na kanë dëmtuar. Ishte një gabim i madh që të shkosh dhe të bësh një sintezë të liderëve të ndryshëm, ne kemi programin tonë”.

“Pas zgjedhjeve do të shohim dhe do të jemi pjesë e diskutimeve. Sigurisht, shumëçka duhet të jetë kompatibile”.