Pacolli: Qytetarët e Kosovës po dëmtohen nga marrëveshja për lëvizje të lirë

Kryesuesi i Delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë për policat kufitare, Rrahim Pacolli, tha se marrëveshja e arritur në Bruksel për lëvizje të lirë nuk po zbatohet në tërësi.

Lajme

12/09/2015 10:53

Pacolli në një intervistë për KosovaPressi-n thotë se pala serbe po i detyron qytetarët e Kosovës t’i heqin targat me RKS, duke i detyruar të paguajnë për vendosjen e atyre “proba”.

“Marrëveshja e arritur në Bruksel është reciproke, të gjitha çështjet e shkruara aty janë reciproke. Për arsye se ligjet e Kosovës për aksidentet që ndodhin në territorin e Kosovës respektohen me ligje të Kosovës. Aksidentet që ndodhin në territorin e Serbisë respektohen me ligje të Serbisë. Pas fillimit të implementimit të marrëveshjes nuk është reciproke, për arsye se pala serbe i heq targat qytetarëve të Kosovës RKS edhe maltretohen me pagesa shtesë. Nuk është reciproke”, tha Pacolli.

Ai po ashtu tha se ka kërkuar nga zyrtarët e lartë të Qeverisë që edhe pala kosovare të vendosë reciprocitet ndaj qytetarëve serbë.

“Unë kam kërkuar qysh prej ditës së parë me u vendos tabelat proba nga pjesa e Kosovës. Nuk ka ndodh një gjë tillë. Kam kërkuar një ultimatum prej shtatë ditësh, nuk ka ndodhë me pas një ndryshim, kam shpresuar nga pala serbe nuk ka pasur ndryshim dhe e kam lëshuar një vendim për ngrirjen. Për arsye se ne kompanitë e sigurimeve kemi me paguar dëmet nesër nëse automjeteve ju hiqen targat ata nuk janë më legjitim. Çështjet juridike nuk i mbulojnë ata qytetarë që bëjnë aksident atje me targa tjera proba. Kështu që qeveria nuk e ka ngri marrëveshjen nuk ka hy në fuqi ngrirja e marrëveshjes dhe tash vazhdojmë kështu në këtë mënyrë janë duke u dëmtuar qytetarët e Kosovës “, tha Pacolli.

Sipas tij, edhe Bashkimi Evropian është njoftuar për mosrespektim të kësaj marrëveshjeje. Pacolli tha se nuk ka kompetenca që ai vetë të njoftojë BE-në.

“Kjo ka qenë mundësia ime dhe unë nuk i kam kompetencat. Bashkimin Evropian e kam njoftuar i kamë dërguar një imejll personit përgjegjës në Qeveri edhe ministres Tahiri përmes imejllit ju kamë dërgua ultimatumin për shtatë ditë, nuk e di a kanë qenë të njoftuar ata të Bashkimit Evropian por me rëndësi është që qytetarët e Kosovës janë duke u dëmtuar dhe nuk është në rregull ne me i lënë me u dëmtua se ka kaluar, është bërë një muaj kështu. Nëse ne vazhdojmë në këtë mënyrë do të thotë marrëveshja po shkon në favor të qytetarëve të Serbisë. Ne disfavor të Kosovës “, tha Pacolli.

Ndërkohë, zyrtarët e qeverisë heshtin karshi kësaj çështje. Për dy ditë redaksia e “KosovaPress” nuk ka arrit të marrë përgjigje zyrtare nga ana e ministres pa portofol Edita Tahiri.

Më 23 qershor dy palët, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kishin arritur marrëveshje për lëvizje të lirë./Kp.