Pacolli për BBC: Asnjë njohje s’është tërhequr, ja e vërteta e raporteve me Daçiqin

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli thotë se në politikën serbe sheh ndryshim të rëndësishëm dhe se presidentin Aleksandar Vuçiq do ta kujtoj historia.

Lajme

13/07/2018 21:40

Ai për Ivica Daçiqin, homologun e tij serb, ka thënë se është njëri fantastik, veçanërisht privatisht, por, thotë ai, nuk e ka të qartë se pse e trajton keq atë zv/kryeministri i parë serb.

“Aleksandar Vuçiq është njeriu që do ta kujtoj historia si liderin e parë serb i cili serbëve u ka thënë se ekzistojnë dy të vërteta –  se është një shtet që e ka shpallur pavarësinë dhe se është e vështirë që kjo të injorohet. Realiteti i dyte është se Serbia është shtet i fuqishëm dhe faktor i rëndësishëm në rajon”, ka thënë Pacolli në intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.

Ai e përshëndetë, siç ka thënë faktin se Vuçiqi është njeriu i parë që ka ardhur në pushtet në Beograd dhe nuk ka thënë se “Kosova është e jona”, transmeton lajmi.net.

BBC shkruan se Pacollit nuk i mungojnë fjalët falënderuar edhe për kolegun e tij, Ivica Daçiq, me të cilin shpesh takohet në samitet dhe konferenca ndërkombëtare.

“Ai është njëri fantastik dhe privatisht me të mund të flasësh në mënyrë fantastike, është i ndritshëm dhe i mençur. Por nuk e di se çka i ka shkuar ndërmend që të me trajtojë aq keq”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare.

BBC Pacollin e përshkruan si njëri i cili angazhohet shumë si në mënyrë personale po ashtu edhe në atë administrative që të rris njohjet për Kosovën dhe t’i bllokojë planet e Daçiqit që vendet afrikane të tërheqin njohjet për shtetin e Kosovës.

BBC tutje thekson se Pacolli ka udhëtuar në Guenia Bisau vetëm një ditë pasi që në Beograd qëndroi kryeministri i këtij vendi, pastaj shfrytëzoi njohjen që e ka me presidentin e Liberisë, George Weah, i cili si futbollist i njohur ka qëndruar në hotelin e tij.

Ai thotë se nga rezultati i këtyre vizitave është shkarkuar ministri dhe kryeministri të cilët Serbisë i kanë dhënë deklarata për tërheqjen e njohjes.

“Nëse disa shtete duan ta tërheqin njohjen për Anglinë, nuk duhet t’i shkruajnë Argjentinës apo ndonjë vendi tjetër se nuk e pranojnë Anglinë. Ata duhet t’i shkruajnë drejtpërdrejt Anglisë”, ka thënë Pacolli, i cili ka shtuar se Prishtina nuk e ka marrë asnjë notë për tërheqjen e njohjes, shkruan lajmi.net.

Edhe pse në një pjesë të opinionit botëror ka pasur zëra se ai është i gatshëm të ndajë miliona nga pasuria e tij personale që të ndihmoj në procesin e njohjes së Kosovës, Pacolli thotë se ai më së shumti përdor adutë tjera, shkruan BBC.

“Mendoj se ata adutë janë shpirti dhe energjia ime. Unë i dua shumë njerëzit. Jam i pasur, më i pasur se shumë të tjerë, dhe atë me kapitalin njerëzor – ata janë miqtë e mijë çdokund në botë”, ka thënë ai.

Pacolli tutje ka shtuar se hapi tjetër i Kosovës është hyrja në Interpol, nga ku Prishtina vitin e kaluar kishte hequr dorë për shkak të përgatitjes së dobët të procesit, e jo për shkak që Kina nuk i ka lejuar zyrtarët kosovarë që të udhëtojnë me pasaportat e tyre. /Lajmi.net/