Pacolli: Nuk votojmë pro shpërndarjes së Kuvendit

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij, nuk do të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit, kur këtë po e ndajnë vetëm edhe pak orë. 

Lajme

07/05/2014 11:45

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se pas pak do të takohen me Presidenten dhe qëndrimi i AKR-së është i qartë që nuk do të jenë pjesë, sipas tij të konspiracioneve politike të partive të mëdha. 

“Ne nuk do të votojmë për zgjedhjet që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë fer dhe Presidentja e Kosovës në këtë rast mban përgjegjësi insitucionale dhe kushtetuese që të mbikëqyrur interesin e qytetarëve por po duket se është vetëm një iluzion”. 

Pacolli në këtë rast, ka dalë në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk është ftuar në takimet me Presidenten. 

“Nuk është normale dhe as demokratike që disa parti të përfaqësuara në Parlament të përjashtohen dhe pavarësisht ndryshimeve në ideologjinë politike unë jam shumë solidar me Lëvizjen Vetëvendosje që është përjashtu në këtë periudhë nga këto procese të rëndësishme”. 

Zv.kryeministri Pacolli i ka hedhur pjesën kryesore të fajit edhe partnerit të tij të koalicionit që po përfundon mandatin qeveritar, PDK-së.

“Ne e dimë që tri partitë që po i prijnë këtij procesi do të shkatërrojnë Kuvendin dhe çdo gjë tjetër në mënyrë që të arrijnë tek zgjedhjet, ndërsa unë ju them se këto zgjedhje nuk do të jenë asnjëherë fer dhe demokratike por edhe një kamufllim i radhës, në kohën kur edhe organizmat ndërkombëtarë paralajmërojnë pamundshmërinë e vëzhgimit të zgjedhjeve nëse ato mbahen brenda muajit”.