Pacolli: Njoha e Bosnjës dhe Hercegovinës do të ishte një hap natyral

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka mirëpritur deklaratën Bosnjës dhe Hercegovinës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Lajme

14/11/2017 15:20

Ai ka thënë se njohja nga Bosnja e Hercegovina  i cila së bashku me Serbinë, janë dy vendet e vetme të ish-Jugosllavisë që nuk e kanë njohur Kosovën shtet, do të ishte një hap natyral dhe i domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë.

“Populli dhe institucionet demokratike të Republikës së Kosovës mirëpresin dhe përshëndesin deklaratën konstruktive, vizionare dhe pozitive të anëtarit të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili kërkon njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Bosnje e Hercegovina”.

“Duke pasur parasysh që Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë shtetet e vetme ish jugosllave që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohja nga Bosnje dhe Hercegovina do të ishte një hap natyral dhe i domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, që do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin rajonal, gjithnjë drejt integrimeve Euro Atlantike si shtete moderne dhe demokratike”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli me anët të një postimi në facebook ka thënë se Kosova është e interesuar të krijojë raportet të mira fqinjësore si me Bosnjën e Hercegovinën ashtu edhe me Serbinë.

“Sa më shpejtë kuptohet realiteti i një Kosove si shtet sovran dhe i pavarur, aq më i madh dhe i hovshëm do të ishte progresi dhe prosperiteti i gjithë Evropës Juglindore”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/